Njohësit e politikës ndërkombëtare e kritikojnë Bashkimin Europian për qasje jo të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, BE-ja vazhdon t’u bëjë thirrje palëve në dialog që ta zbatojnë Marrëveshjen Bazë, duke përkujtuar se “progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo marrëveshje ka qenë shumë i limituar- si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”
Më 27 shkurt 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan me tekstin e një marrëveshjeje të propozuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Pas tri javësh- më 18 mars, ata u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për t’u marrë vesh edhe për aneksin e zbatimit të atij dokumenti 11 pikësh, që më vonë nisi të quhej si Marrëveshja Bazë.
Takimet e ndërmjetësuara nga përfaqësuesit e BE-së zgjatën për mbi 10 orë, dhe ndonëse në aneks nuk u vu asnjë nënshkrim, palët u obliguan që t’i zbatojnë plotësisht të gjitha nenet e marrëveshjes, mes të cilave është edhe ajo që e përcakton se Kosova dhe Serbia nuk mund ta përfaqësojnë e as të veprojnë në emër të njëra-tjetrës në sferën ndërkombëtare. Në të njëjtin nen në mënyrë specifike thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Por, ky zotim i dhënë në Ohër, sipas njohësve të politikës ndërkombëtare, është shkelur nga pala serbe. Më 27.03.2024, Serbia votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, në të cilin u dha propozimi që Kosova të ftohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Dy votat kundër Kosovës që u dhanë nga përfaqësuesit e Serbisë në këtë komitetet, në fakt shihen edhe si vazhdim i “një episodi” që u zhvillua vitin e kaluar, ku Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.
BE pret që palët ta zbatojnë marrëveshjen
Bashkimi Evropian nuk ka bërë ndonjë reagim të drejtpërdrejt mbi Serbinë për shkelje të marrëveshjes, por ka vazhduar t’u bëjë thirrje palëve në dialog që ta zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin e saj, për çka edhe janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër.
“Pa marrë parasysh këto veprime në Këshillin e Evropës, kur është fjala te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha pjesët e Marrëveshjes nga viti 2023 për rrugën drejt normalizimit të zbatohen me shpejtësi, në besim të mirë dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ashtu siç ishin pajtuar palët me aneksin e zbatimit në Ohër”- ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për KALLXO.
Stano ka deklaruar se pavarësisht përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare, zbatimi i obligimeve nga marrëveshja bazike, ka qenë i limituar.
“Është për keqardhje se pavarësisht përpjekjeve nga ana e BE-së dhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare, deri më tash progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo marrëveshje ka qenë shumë i limituar, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”- ka theksuar ai.
Zëdhënësi i BE-së e ka përmendur edhe obligimin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se ky asociacion është rrugë konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë.
Për Bashkimin Europian, Këshilli i Europës luan rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Por para së gjithash, sipas BE-së, u takon anëtarëve të Këshillit të Europës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj.
“Qasja asimetrike” e BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë
Autoritetet qeveritare në Kosovë nuk janë shprehur të befasuar me veprimin e fundit të Serbisë. Madje, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, konsideron se përfaqësuesit e Serbisë me praninë e tyre në mbledhjen e Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës në Paris të Francës, “mbase pa qëllim” i kanë bërë nder Kosovës duke ndihmuar në formimin e kuorumit.
“Rrjedhimisht ata [anëtarët serbë] i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, por duke shkelur në të njëjtën kohë Marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë, që për neve përbënë vlerë të rëndësishme”- ka deklaruar Bislimi në një konferencë për media më 29.03.2024.
Votimi kundër i delegacionit serb përbën shkelje të Marrëveshjes së Ohrit edhe sipas analistëve politikë. Serbia, sipas tyre nuk është palë konstruktive në bisedime dhe nuk i respekton marrëveshjet, për sa kohë që Bashkimi Europian nuk përdorë mekanizma detyrues ndaj saj.
Profesori në universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Dorajet Imeri thekson se Serbia që nga dita e parë i ka shkelur marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Kjo tregon se Serbia nuk është palë konstruktive në bisedime dhe nuk i respekton marrëveshjet”- thotë Imeri.
Ndërkaq, për analistin politik, Seb Bytyçi, njëherësh dekanin e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Ëinchesterit në Angli, votimi kundër i delegacionit të Serbisë u shoqërua me deklarata të hapura kërcënuese nga zyrtarët e shtetit serb që përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Ohrit.
“Për më të tepër u dëshmua edhe ndikimi negativ që e ka Serbia në Bosnje dhe Mal të Zi përmes partive pro-ruse që e minojnë sigurinë e rajonit”- theksoi Bytyçi për KALLXO.com.
Më 27.03.2024, edhe Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Por, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç, gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin Bislimi, më 29.03.2024, tha se Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
“Votimi i disa deputetëve nuk shpreh domosdoshmërisht qëndrimin e qeverisë … Mali i Zi, në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës” – ka deklaruar Gorçeviç.
Profesori Imeri thekson nevojën që Bashkimi Europian të përdorë mekanizma detyrues ndaj Serbisë për t’i respektuar marrëveshjet.
“BE-ja, nuk ka përdorur mekanizma detyrues ndaj saj që të respektoj marrëveshjen, ndërsa ne anën tjetër vijon të ketë sanksione ndaj Kosovës. Tregues i qartë për qasje jo proporcionale dhe asimetrike”- thotë profesori universitar.
Kurse Bytyçi nënvizon se BE-ja e ka obligim nga marrëveshja që të themelojë një trup vëzhgues, por siç thotë ai, ende nuk ka transparencë se a është funksionalizuar ky trup dhe a vëzhgon sjellje të tilla kundër marrëveshjes.
Ai vlerëson se diplomacia e BE-së ndaj Serbisë është “e dobët”, përderisa të gjitha sukseset e saj janë bazuar në presionin ndaj palës më të dobët, në këtë rast, Kosovës.
“E dimë që Serbia i ka dërguar letër formale BE-së ku thotë që nuk e respekton marrëveshjen, por fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë reagim të BE-së. Këto veprime të Serbisë tregojnë se sa e dobët është diplomacia e BE-së ndaj Serbisë, përderisa të gjitha sukseset e saj janë bazuar në presionin ndaj palës më të dobët, Kosovës”- është shprehur Bytyçi.
Hapi i radhës para anëtarësimit të Kosovës në KiE
Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.
Në draft-raportin, që ka parë BIRN, Bakoyannis shkruante se anëtarësimi i Kosovës “do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.
Hapi i radhës pritet më 18 prill, kur Asambleja Parlamentare do të votojë për opinionin e përfundimtar lidhur me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kosova ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.
Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në atë kohë, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, qe shprehur se do të punojë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ndërkohë, ditë më parë, tre liderët e Kosovës: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakoyannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.
Aktualisht ky Këshill i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje