Nga: Agron Gjekmarkaj
(Rreth romanit të Preç Zogajt, “Anjeza nuk u zgjua”)
Në prozën e Preç Zogajt është kujtimi që i jep gjithë ngjyrën rrëfimit, i cili ndjek ngushticat, kthesat e kujtesës, përshtypjet, gabimet, keqkuptimet e kurthet e saj.
Këtë shije ta lë udhëtimi në jetë i djaloshit David Gjika te romani “Anjeza nuk u zgjua”, botim i pak muajve më parë i “UET Press”, ku Preç Zogaj argëtohet me shpenzimet e së vërtetës.
Një subjekt dashurie sa i madh e po kaq tragjik, që përmbledh në çdo akt të vetin shenjat antropologjike të një njeriu (David Gjikës) të një qyteti (Lezhës) të një vendi (Shqipërisë) e të një epoke (asaj të komunizmit, vitet ‘80), ngurtësuar ideologjikisht, kulturalisht përballë një armiku të padukshëm, por kudo i pranishëm, që i jep formë ekzistencës historike të humanizmit. Koha historike shndërrohet në kohë kulture e shkrimit pas rezistencës së kujtesës..
Ky roman i Preç Zogajt është një hetim i personalizuar për natyrën e njeriut për atë të Davidit dhe Anjezës, në raportin mes ëndrrave dhe mundësive në mungesë lirie. Në këtë ndeshje iluzive, në këtë alternim vegimesh, zë fill një subjekt me ndikime të forta autobiografike. Vetëm një gjë këto dy anë të këtij vektori i bën të pajtueshme-dashuria, e cila “flet pak dhe me zë të ulët, një gjë që shkruhet e lexohet në një gjuhe që kuptohet pa e ditur në ballin e atij që e ndien, dashuria nuk ka uri në duar e në sy. Ka gatishmërinë e verbër për t’u flijuar për tjetrin apo tjetrën. David Gjika është njëri prej nesh në vitet e diktaturës po aq sa ç’është vetë shkrimtari një djalosh i apasionuar pas librave dhe dijes, si e vetmja dritare mbi boten e ndaluar, por ai si shumë të tjerë bart një cen, një shenjë, një njollë në biografi, tejkalimi i secilës shndërrohet në mit sizifian.
Në këtë përpjekje, Davidi ka vetëm një aleat, letërsinë, e cila e projekton në memorien kolektive si një person autentik më shumë sesa një personazh romani.
Anjeza, kjo mëkatare e brishtë dhe një e krishterë e paepur në vizionet e përtejme, po kaq një vajze e bukur, një Evë që e “kafshon” mollën duke e çuar në skaje kreative erotiken apo seksin në letërsinë shqipe bashkëkohore. Anjeza merr vdekjen si ndëshkim apo refuzim të pamundësisë për të qenë e lumtur në jetën e këtejme. Në pasionin që bashkon Davidin me Anjezën, nuk ka asgjë banale.
Kudo nëpër të shfaqen vibracionet e një pasioni, konturuar nga estetika e së bukurës. Jo rastësisht, Davidi është i pashëm apo Anjeza engjëllore. As palumturia e tyre kontekstuale, as ndarja fundore me vdekjen prej helmit nuk janë rastësore. Lexuesi duhet ta gjejë vetë pse ndodh kështu, atë kufirin mes gjërave të zakonshme e të papërsëritshme, të atyre që bëhen monotone e të përditshme me ato që nuk e pranojnë këtë status, por shndërrohen në pushtuese të kujtimeve, duke fermentuar narracione si ky i Preç Zogajt me vetë letërsinë e mirë që nuk e ndeshim shpesh. Po, dashuria është rezistencë ndaj diktaturës dhe diktaturave, por mundet pres saj e tyre kur nuk është tipar dominues i shoqërisë. Ajo gjykohet ashpërsisht prej atij që nuk e ka. Zogaj e tenton edhe këtë konkluzion.
Atij (lexuesit) i duhet kurioziteti për t’u ngjitur strukturave të rrëfimit, për të kuptuar çfarë i bashkon e çfarë i ndan Davidin e Anjezën, çfarë ata duan e çfarë marrin, nga se e kur goditen, sa njëri i dominon rrethanat e sa ato e frikësojnë e ndrydhin atë, sa e lëron ai të mirën e të keqen brenda vetes, të bukurën e të shëmtuarën, të mirën e të keqen, triumfi i të cilave i jep kuptim jetës apo e mund atë?!!
Një lexues nostalgjik, nëse do më ngulm të kërkojë pikturën a fotografinë e Lezhës me shkrimtarët, mësuesit, piktorët, doktorët, aparatçikët, individët e spikatur përmes lojës së bashkimit të emrave me mbiemrat, edhe mund ta ndërtojë arealin e asaj stine, por s’e di çfarë do të fitonte nëse leximi nuk i shërben për ta kuptuar kohën dhe pranuar se gjithsecili prej nesh i destinuar të bëhet pjesë e një rrëfimi që përcjell emocionet më shumë sesa të dhënat e epokës si eksperiencë reflektive.
Qyteti e humbet përmasën e tij lokale, po kaq edhe kryeqyteti në hullitë e shpresave e ndalimeve ku i josh e përplas Davidin e Anjezën, duke i shtyrë në brumin e subjekteve universale, ku njëri vdes, duke i lënë tjetrit pengun e rrëfimit, të transmetimit të asaj që konsiderohet dashuri e madhe, vuajtje e madhe, mungesë e madhe, e cila kompensohet vetëm nga një rrëfim i tillë për t’i ndihmuar kësisoj lexuesit që të kuptojnë më mirë veten dhe kohën, atë që gjithmonë mbetet si etalon, nga ku gjithmonë rifillon historia me na ishte njëherë…!
Ah, për stilin, poezia është kudo e pranishme në prozën e shkrimtarit Preç Zogaj, duke anuar më së shumti nga bota e brendshme e të gjithë atyre, me të cilët ka realizuar historinë e Davidit dhe Anjezës, ku përmasa lirike ngjan si kundërvënie e arsyetuar e patetizmit politik, vetë puthja e gjatë kundër dogmës së thatë. Ndoshta, Preç Zogaj do të kishte dashur të shkruante një manual të mbijetesës së të dashuruarve. Nuk e ka arritur, por atë tjetrën po, atë thënien e njohur që dashura i mbijeton vdekjes, e tejkalon atë edhe kur goditet prej saj sigurisht. Por nuk e mohon këshillën për të insistuar e insistuar si moral afirmimi, faktin që nuk duhet të impresionohemi nga përçmuesit e penguesit socio-psikologjiko-ideologjikë të ndjenjave, objekt i të cilave është vetë dashuria, por duhet të insistojmë, të guxojmë, të duam se vetëm kështu njeriu përligj veten mbi tokë. Anjeza nuk u zgjua, por romani i mirë po.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit

“Në dekë të shoqit tim” - një poezi rrethane

Thënie nga Gjergj Fishta: Më dhemb kryet nga njato parla-parla të parlamentarëve - dokrra pa kokrra!

Ç’është socializmi?

DY VAJZAT E MIA
Vepra e Banksyt tërheq vizitorësh në muzeun gjerman

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët