Fatmir Haxholli ka marrë detyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (ShSASHJ), dhe me këtë rast ka publikuar një Letër të Hapur drejtuar institucioneve dhe publikut, ku paraqet shqetësimet dhe pritshmëritë e anëtarëve të shërbimit diplomatik të Kosovës.

Në prag të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Haxholli ka theksuar nevojën për përmirësim të ndjeshëm të kushteve të punës dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëtarët e Shërbimit të Jashtëm – si brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ashtu edhe në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.


Në letrën e publikuar, ShSASHJ paraqet një listë me shtatë kërkesa kryesore drejtuar MPJD-së:

Zbatimi i konkurseve të brendshme për plotësimin e vendeve të lira në misione diplomatike/konsullore.

Përgatitja e një liste vjetore me vendet e lira, me garanci për shpallje të brendshme që përputhen me profilin profesional të stafit.

Identifikimi i nevojave për gradime dhe pozita drejtuese, duke shmangur sistemimet e përkohshme pa konkurse.

Përmirësimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, përmes rotacioneve të planifikuara dhe respektimit të dinjitetit profesional e familjar të stafit.

Garancia për meritokraci, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për avancime dhe gradime.

Respektimi i vendimeve ligjore në rastet e ankesave për shkelje të të drejtave nga anëtarët e MPJD-së.

Rishikimi i pagave dhe koeficientëve për diplomatët, në përputhje me përgjegjësitë dhe standardet ndërkombëtare, si dhe kompensimi i diplomatëve që shërbejnë brenda MPJD-së në mënyrë të barabartë me ata jashtë saj.

Shoqata kërkon gjithashtu përfaqësim të saj në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, si dhe në grupet punuese të MPJD-së që ndikojnë në politikat e karrierës dhe mirëqenies së diplomatëve.

Në përmbyllje, Haxholli thekson se menaxhimi i drejtë i sistemimeve në misione, planifikimi afatgjatë, transparenca dhe llogaridhënia janë kyçe për funksionim të qëndrueshëm të shërbimit të jashtëm.

Ai siguroi se ShSASHJ mbetet e gatshme për të kontribuar aktivisht në të gjitha proceset vendimmarrëse që prekin anëtarët e saj./Telegrafi/