Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar kundër përdorimit të doracakut për edukimin seksual në shkolla, duke theksuar se edukimi i fëmijëve është një detyrë delikate që kërkon respekt për vlerat kulturore, morale dhe familjare të shoqërisë.
Në reagimin e tij, Ramosaj ka kritikuar vendosjen e doracakut pa konsultim të gjerë me prindërit dhe pa respekt për këto vlera.
“Vendosja e një doracaku për edukim seksual në shkolla, pa konsultim të gjerë me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë sonë, është një tjetër dështim i Qeverisë. Ky akt tregon një shkëputje të plotë nga realitetet dhe nevojat e vërteta të nxënësve, si dhe nga shqetësimet e familjeve”, ka shkruar ai.
Ramosaj ka shtuar se edukimi seksual duhet të jetë një proces që ndihmon zhvillimin e fëmijëve në mënyrë të shëndetshme, fizikisht, emocionalisht dhe moral, në bashkëpunim të ngushtë me familjet.
Ai ka kundërshtuar doracakun e hartuar nga Ministria e Arsimit dhe ka theksuar se ai është i papranueshëm dhe nuk mund të përdoret në shkolla.
Vlen të theksohet se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për heqjen e doracakut duke njoftuar se ato do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MASHTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend. /Telegrafi/