Kryeministër, priteni babadimrin!
A i ka përmbushur Kosova kriteret për të fituar “pakon stimuluese” që po e proklamon qeveria jonë? Një zgjim nga ëndrra europiane dhe lënia anash e dëshirave e deklarimeve publike gjatë fushatave elektorale apo para mediave, do të na bënte ‘shnetë’!. Po të ishte kaq e lehtë marrja e benificioneve nga Bashkimi Europian, fundjavën e kaluar këtë gjë do ta arrinte fqinji ynë verior, Serbia. Bashkimi Europian është një familje që ka rregulla të lojës krejtësisht të ndryshme nga ato që po praktikojmë ne sot, madje së fundi po i shtrëngon edhe më shumë frenjtë e vet, që do të thotë më vështirë për anëtarët e rinj?
Komisioni Europian nuk është babadimër që t’u jap dhurata shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Komisioni Europian është i qartë në kriteret e veta dhe ato i përsëriti edhe këtë herë kur deklaroi se “konkluzionet janë mjaft të qarta...” dhe se “Kosova mund t’i arrijë duke i zbatuar procedurat paraprake të cilat janë valide për të gjitha rastet”, edhe pse asgjë konkrete apo sensacionale nuk tha për Kosovën. Kështu që çdo deklarim tjetër i qeverisë së Kosovës, përtej këtyre konkluzioneve, duhet vlerësuar si mashtrim dhe humbje kohe në rrugën tonë drejtë integrimit në familjen europiane.
Folklori politik patriotik nuk ndihmon në këtë drejtim, e aq më pak angazhimi i kotë për t’i treguar BE-së se çfarë duhet të bëjë me punët e veta. Ka javë të tëra që politika kosovare gjithë energjinë e saj e kishte orientuar në një pikë: si të “binden” shtetet anëtare të BE-së për të mos pranuar kërkesën e Serbisë për anëtarësim në këtë familje. Republika e Kosovës nuk është në gjendje që t’i diktojë politikat dhe agjendat e Bashkimit Europian në raport me ndonjë çështje apo shtet të caktuar!. Me këtë logjikë të të shikuarit se çfarë po bëhet me “kojshit” tanë, qeveria e Kosovës po harron premtimet, përgjegjësitë dhe obligimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës.
Çfarë fitojmë ne, si shoqëri dhe vend, nga dhënia apo mosdhënia e statusit të kandidatit për Serbinë? A do ta fillojë qeveria e Kosovës luftën e tretë botërore, nëse në mars të vitit 2012, Serbia merr statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa ne do të jemi vetëm në fillim të rrugëtimit? Pse qeveria e Kosovës nuk shikon si t’u jap zgjidhje problemeve të shumta në shtëpinë e vet, që e ka llugë?. Bashkimi Europian i njeh shumë mirë problemet dhe sfidat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovës, dhe e di po ashtu shumë mirë se, si duhet qasur Serbisë. Zyrtarët e BE-së e kanë të njohur qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe përzierjes së saj në punët e brendshme të shteteve fqinje, sepse ka një numër misionesh politike, ekonomike dhe të sigurisë këndej pari.
Kështu që qasja e qeverisë së Kosovës, për t’u dëshmuar si politikbërëse e madhe, po “shkatërron” të ardhmen e kosovarëve. Qeveria po harron detyrat e shtëpisë, që janë të shumta dhe që pa zgjidhjen e tyre, ëndrra europiane do të jetë vetëm pjesë e fushatave politike për “fitimin” e votave. Çfarë mendon kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat e tij, se Bashkimi Europian do të pranojë të importojë probleme të reja brenda shtëpisë së vet, e që mund t’i sjellin shtetet e varfra dhe të pastabilizuara politikisht. BE-ja e rimesoi leksionin me krizën e fundit, kështu që do të kërkoi edhe më shumë angazhim dhe punë konkrete nga secila qeveri dhe shtet që dëshiron t’i bashkohet.
Çfarë ka bërë qeveria e Kosovës që të mund t’i imponohet BE-së me kërkesat e saja, si liberalizimi i vizave, marrëdhëniet kontraktuale, anëtarësimin në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, apo eventualisht për ndonjë kërkesë për marrje të statusit të kandidatit, përveç vajtimit së pa të drejtë kemi mbetur të fundit!. A po i lexon kjo qeveri raportet e progresit dhe ato të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, për të kuptuar se në çfarë gjendje është Kosova, vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë?.
Kosova po hynë në vitin 2012, si vendi më i varfër i Evropës, me shkallën me të lartë të papunësisë dhe të mjerimit social, me shkallë të lartë të korrupsionit që ka përfshirë çdo institucion dhe sektor të jetës, shkallë të lartë të kriminalitetit, gjyqësi të politizuar që i shërben pushtetit, ekonomi të pazhvilluar që nuk prodhon e eksporton, por vetëm konsumon e importon, pa sovranitet të plotë dhe me demokraci të brishtë, e cila është pasojë e një procesi zgjedhorë të manipuluar. Me këtë gjendje qeveria e Kosovës mendon të trokas në derën e Bashkimit Europian?. Kryeministri Thaçi dhe kabineti i tij duhet ta tejkalojë sindromën e demagogjisë politike patriotike, që synon manipulimin e ndjenjave të kosovarëve. Bashkimi Europian nuk është adresa ku mund të kërkohet shpëtim nga kjo gjendje, por se shpëtimi është tek angazhimi serioz dhe konkret i institucioneve të Kosovës në përmbushjen e konkluzioneve të Komisionit Europian.
Prandaj, qeveria e Kosovës duhet të angazhohet shumë për t’ua kthyer perspektivën kosovarëve, në mënyrë që ata të mos e shohin BE-në si qellim për të ikur drejtë saj, sapo t’u hapen kufijtë. Ndryshe, ëndrra europiane e Hashim Thaçit dhe qeverisë së tij do t’i ngjajë pritjes së fëmijëve se natën e Vitit të Ri tek dera e shtëpisë do t’u trokas babadimri për t’u dorëzuar dhuratën e ëndërruar gjatë vitit, madje edhe atëherë kur nuk ka borë që babadimri të mund të “udhëtoj” me sajën tij. Duket se një dhuratë të tillë po e pret edhe kryeministri Thaçi me ministrat e tij që nga viti 2007. Por, Komisioni Europian nuk ua dha as këtë fundvit, ndërsa që në mungesë të saj kryeministri u mjaftua me përhapjen e “haberit” se “Kosova ka marrë një lajm të mirë” dhe se “pakoja stimuluese” e shumë-proklamuar do të arrijë gjatë vitit 2012.
Në këtë mezo-pauz, derisa t’i arrijë qeverisë së Kosovës “shkopi magjik” nga Brukseli për të na i zgjidhur problemet tona, po i kujtojmë kryeministrit Thaçi dhe anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, veçanërisht zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe ministrave Vlora Çitaku e Bajram Rexhepi, se në shtëpinë e fqinjit tonë verior, ka një zhvillim të ri politik, pasi që aq shumë po u intereson se çfarë po bëhet më të ardhmen e Serbisë. Atje zëvendëskryeministri për euro-integrime, Bozhidar Gjeliç ka dhënë dorëheqje, si shenjë e përgjegjësisë politike para qytetarëve të vet, pasi që Serbia nuk arriti të marr “dhuratën” e premtuar, statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë fundvit. Bëhuni edhe ju të përgjegjshëm politikisht, nëse jo para qytetarëve të Kosovës, së paku ndaj premtimeve tuaja dhe ndiqeni shembullin e tij. Do t’i bënte ‘shnetë’ shoqërisë kosovare!




















































