Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët lidhur me përdorimin e rrjetit të kanalizimit, pas rasteve të shpeshta të hedhjes së substancave të dëmshme që po ndikojnë negativisht në funksionimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura (ITUN).

Në njoftimin e kompanisë thuhet se kohëve të fundit është vërejtur shkarkimi i vajrave, substancave toksike, letrave të lagura dhe materialeve të tjera jo të lejueshme në rrjetin e kanalizimit, çka po shkakton bllokime dhe dëmtime në procesin e trajtimit të ujërave të ndotura, përcjell Telegrafi.




“Hidrodrini” kujton se impianti në Pejë është ndër më modernët në rajon, dhe përmes procesit biologjik arrin ta kthejë ujin e ndotur në ujë të pastër që derdhet në lumë. Mirëpo, hedhja e vajrave dhe substancave të dëmshme dëmton seriozisht procesin biologjik dhe mund ta nxjerrë impiantin jashtë funksionit.

Kompania u bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi për mjedisin dhe infrastrukturën e përbashkët, duke theksuar se “uji i pastër është përgjegjësi e të gjithëve”. /Telegrafi/