KRU “Gjakova” nis aksionin e çkyçjeve ndaj konsumatorëve me borxhe të grumbulluara

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se ka filluar një aksion të gjerë për çkyçjen nga rrjeti të konsumatorëve që kanë borxhe të papaguara dhe nuk kanë përmbushur obligimet ndaj kompanisë.
Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së sotme ekipet në terren kanë realizuar rreth 30 çkyçje, duke përfshirë biznese dhe amvisëri. Aksioni do të vazhdojë në ditët në vijim në të gjitha zonat e shërbimit, përfshirë Gjakovën, Rahovecin dhe Prizrenin, përcjell Telegrafi.
KRU “Gjakova” u bën thirrje të gjithë konsumatorëve debitorë që të kryejnë pagesat sa më parë ose të aplikojnë për ristrukturim të borxhit me pagesë me këste, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Kompania thekson se çkyçja do të vazhdojë të zbatohet për të gjithë ata që nuk u përgjigjen obligimeve, në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi. /Telegrafi/


































