KRM “Pastrimi” intensifikon punët e mirëmbajtjes në Prishtinë gjatë stinës së vjeshtës

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka kryer një sërë aktivitetesh pastrimi dhe mirëmbajtjeje në disa lagje të kryeqytetit.
Punëtorët e kompanisë kanë realizuar pastrimin e rrjetave kulluese, grumbullimin e gjetheve dhe mbeturinave, si dhe rregullimin e hapësirave publike, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e reshjeve, përcjell Telegrafi.
Nga kjo kompani është bërë e ditur se qëllimi i këtyre punimeve është ruajtja e pastërtisë urbane dhe parandalimi i bllokimeve në rrjetat kulluese, të cilat janë të ndjeshme gjatë periudhës së vjeshtës.
“Synimi ynë është të kemi një qytet të pastër dhe hapësira të rregulluara për qytetarët, sidomos gjatë stinës së vjeshtës kur reshjet dhe gjethet kërkojnë kujdes të shtuar. Kujdesi për qytetin është punë e përbashkët”, thuhet në njoftimin e KRM “Pastrimi”.
Kompania ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe për respektimin e orarit të vendosjes së mbeturinave, duke theksuar se mirëmbajtja e pastërtisë pranë objekteve banesore dhe publike ndihmon në ruajtjen e një mjedisi më të shëndetshëm për të gjithë. /Telegrafi/


















































