Nga: Uvil Zajmi
Nëse ndiqje modën, shihje kanale të huaja televizive, mund të përfundoje “gazi i botës” nëpër sheshe publike. Ka qenë një nga format e kohës të kritikoje në mënyrë puplike një person, një individ, një familjar, një nxënës, pedagog, mjek, deri edhe një kolektiv. E para ishte me bodecin, pastaj me fletërrufetë deri me gazeta e murit. Por, cili ishte ndryshimi midis bodecit e fletërrufeve dhe si e kujton Bujar Kapexhiu, artisti i njohur shumëdimensional, atë proces sa kurioz aq kërcënues, ngacmues, i rrezikshëm e me pasoja për individin.
Z. Kapexhiu, çfarë kuptimi ka bodeci?
Kur në majë të hostenit, kështu quhet një shkop i gjatë, vendoset një thumb hekuri, që përdoret për të ngarë qetë ose kuajt. Aplikohet edhe për thënie figurative, si p.sh. e shpoi me bodec, kur e thumbon tjetrin, ose në rastet për të nxitur e shtyrë dikë që nuk lëviz për të kryer një punë.
Ju si artist, në veçanti i karikaturës, si e kujton “Bodecin”?
Më pëlqente, e kisha me qejf se më tërhiqnin, më argëtonin karikaturat e Bodecit, pasi çdo person që e kritikonin, e bënin edhe karikaturë. Në mjaft raste ajo shoqërohet edhe më një koment thumbues, pak humor…
Një nga epitetet negative që përdorej shumë asokohe ishte “gagarel”, ç’kuptim ka?
Bëhej fjalë për ata djem që visheshin në mënyrë moderne, flokët me brilantinë, pantallonat e ngushta tub e këpucët me majë. Çdo të hënë shihje në stendën e Bodecit këta tipa të Tiranës, ilustruar me karikaturë. Kujtoj edhe disa vargje shoqëruese: ‘Gagareli trup batalli, gagareli karnavali, me tre okë brilantinë, lyen flokët për shkëlqim’.
Po një femër dilte në bodec?
Sigurisht, bodeci nuk bënte dallim. Vajzat, gratë që ndiqnin modën, edhe ato ishin protagoniste, që pasi “evidentoheshin” për tendencat, i nxirrnin në bodec.
Më thatë edhe qejflinjtë e këpucëve me majë ishin në majën e bodecit?
Ata ishin të jashtëzakonshëm. Midis tyre ishte një garë, kush i kishte këpucët më majën më të gjatë. Këpucët me porosi apo që i vinin nga jashtë, ishin 2-3 numra më të mëdha nga maja, që më kalimin e kohës, ajo deformohej e ngrihej përpjetë.
Ku ishte stenda e bodecit në Tiranë?
Te “Rruga e Barrikadave”, te reklamat e kinemasë në qendër të tyre, përballë ish-Muzeut të Luftës, me përmasa të mëdha, mbuluar me xham, nuk mund të hiqej dhe një javë qëndronte aty. Karikaturat i realizonin artistët e kohës, profesionistët e angazhuar edhe në revistën “Hosteni”.
Nga erdhi ai stil kritik?
Nuk mund të them si u gjet ai model, erdhi apo jo nga vendet socialiste apo tipike shqiptare e ideuar nga individë shqiptarë. Nuk e kam ndeshur, dëgjuar edhe më vonë një praktikë të tillë kritike publike në shtete të tjera, por në Shqipëri ka qenë intensive deri në mesvitet 1960-’70.
Janë vite kur funksionon edhe “Gazeta e Murit”…
Kudo në Tiranë e qytete të tjera aplikohej “Gazeta e Murit”, një tjetër formë kritike qytetare. Në stendat në qytet, ndërmarrjet trajtoheshin çështje aktualiteti, deri njoftime, krijime letrare, por edhe karikatura të nxënësve, studentëve, njerëzve, deri edhe kooperativistë etj., që për motive të ndryshme, ndër to mosrealizime normash, të planeve etj. Edhe në shkolla kishte “Gazetë Muri”.
Për çfarë shërbente në shkollë një e tillë?
Kujtoj se në të mesme, në gjimnazin “Petro N. Luarasi” në Tiranë, në vitet ’60-të unë bëja karikaturat, shkrimtari, në atë kohë profesori i Letërsisë, Gjegj Vlashi, bënte vjershat. Përveç gazetës, funksiononte edhe radiofonia e shkollës. Në pushimin e madh, unë lexoja shkrimet kritike që botoheshin në “Gazetën e Murit”, shoqëruar me vjersha humori. Deri edhe në shtëpi është përdorur “Gazeta e Murit”?
Si ka mundësi, e vërtetë?
Po, sigurisht, edhe komik ky fakt. Kujtoj një familje intelektuale, me funksione të larta shtetërore, kishin krijuar në shtëpinë e tyre, pra, në apartament, ku banonin “Gazetën e Murit”. Aty familjarët kritikonin njëri-tjetrin, por mos plotësimin e detyrave familjare ditore. Janë kohë, mentalitete, që ndikonin edhe në këtë drejtim.
Por, bodeci ishte dhe mbetej ai kryesori?
Bodeci i Tiranës kishte edhe më “kualitete”, një kryeqytet i tërë që e ndiqte dhe vëmendja ishte më e madhe. Edhe personazhet ishin më publikë, figura karizmatike të kohës. Njerëz që e prisnin me interes, kuriozitet të madh ditën e hënë, sidomos kur aty ishte ekspozuar një njeri i njohur, që kishte shoqëri, miqësi, të madhe. Në Tiranën e atyre viteve, bodeci u kthye në një ritual javor e të gjithë lajmëronin njëri-tjetrin për të parë bodecin.
Cilët ishin “personazhe” që dilnin më shpesh në “bodec”?
Në bodec dilnin zullumqarët, hajdutë, keqbërës, grindavecë, por më shumë ata që reflektonin shije dhe tendenca perëndimore, me veshje ndryshe, model këpucësh, stil modern, një këmishë me ngjyra e lule etj., që nuk pëlqeheshin nga vija politike, organizatat e Bashkimeve Profesionale të Rinisë, Lagjet, Komiteti i Partisë dhe personi vendosej në bodec, si një model jo i përshtatshëm për shoqërinë, që duhej kritikuar, jo si shembull pozitiv, madje që nuk duhej imituar, por dënuar. “Ja ky i bodecit”, thoshin njerëzit. Një komunikim publik i përjavshëm, që në mjaft raste shërbente si vend argëtimi.
Ishte karikatura e shoqëruar edhe me vargje me humor?
Krahas karikaturës së personit, ajo shoqërohej edhe me tekst, fjali, vargje humori. Edhe sot kujtoj personazhet, gjithmonë në qendër të bodecit, midis tyre një mikun tonë, një orëndreqës i traditës, nga më të njohurit, pakrahasueshëm, i paharruar, unikal për brezat, shumë modern për kohën, por jo për bodecin.
Kur lindën fletërrufetë?
Fletërrufetë u shfaqën në fillim të 1967-ës, bashkë me Revolucionin Kulturor Kinez, që u përcoll edhe në Shqipëri. Ato u bënë agresive pas fjalimit të Hoxhës, kundër shfaqjeve të huaja kryesisht, por që prekën artin, sportin, industrinë, kulturën, spitale, institucione, shkolla, universitete, çdo sektor të jetës personale, kolektive, deri edhe sportistë etj., etj.
Cili ishte ndryshimi midis bodecit dhe fletërrufeve?
Së pari në kohë, periudha të ndryshme. Dalja në bodec ka nisur në fillim të viteve ’50 dhe filloi të humbiste nga mesvitet ’60-’70 se u shfaqën fletërrufetë. Edhe si përmbajtje, formë: Të dyja kishin qëllim kritikën, dënimin publik, por bodeci kishte vetëm individin, fletërrufetë individin gjithashtu, por edhe kritikën kolektive.
Ishin më të ashpra se bodeci?
Në bodec, personi i dalë shoqërohej edhe me një karikaturë të tij e pak humor siç tregova. Ndërsa fletërrufetë jo, kishin vetëm kritikën. Në raste të veçanta edhe me ndonjë karikaturë. Ndryshe nga bodeci, që nuk kërkonte përgjigje, te fletërrufetë kur njeriu i kritikuar me emër, duhej doemos të përgjigjej në formë autokritike. Edhe bodeci kritikonte me emër personin. bodeci kishte vetëm një stendë të mbyllur me xham, ndërsa fletërrufetë vendoseshin në stenda të hapura, me thumba, në qendër ose zonat e populluara, posaçërisht për to. Ato ishin të formateve të mëdha e të kontrolluara. Çdo ndërmarrje, institucion, spital, shkollë, kishte stendën e “Emulacionit”, “Vend afishimi për fletërrufetë”, “Zëri i Masës” etj., ku mund të vendosej fletërrufeja. Nga frika, individi i kritikuar nuk e hiqte, por ka pasur edhe raste sporadike, që edhe po.
Ku ka qenë vendet e njohura të fletërrufeve në Tiranë?
Në Tiranë, në qendër, përballë hyrjes së Bankës Qendrore, pranë taksive, stacionit të autobusit të Bankë-Kinostudio. Ngjitur me të ishte një termometër i madh meteorologjik. Një tjetër gjigante ishte te 21 Dhjetori, si pikë e rëndësishme e populluar e kryeqytetit, “Tabela e Emulacionit Socialist”, ku një hapësire të madhe zinin fletërrufetë. Po kështu, në Laprakë, Kinostudio, Kombinat, Kamzë e në gjithë qytetet e tjera të vendit. Përdorej kartoni dhe ato përpiloheshin e shkruheshin nga njerëz të ndryshëm me një shkrim jo të mirë, mungonte ana estetike, një formë primitive
Më treguat se ndër të parët e kritikuar ka qenë një mësues gjimnazi?
Një profesor fizike në një gjimnaz të Tiranës, që lejonte vajzat të shkonin në klasë me minifunde, nëse nuk gaboj. Ai them ka qenë i pari që është kritikuar me fletërrufe, se bëri bujë. Kam dëgjuar që jeton dhe ndodhet jashtë Shqipërisë. E goditën rëndë, vetëm për këtë fakt, e mendoni çfarë situate ju krijua në shkollë, familje, lagje, kudo.
Si formulohej një fletërrufe?
Në krye të stendës vendosej fraza shabllon: “çdokush apo secili më germa të mëdha, pa frikë…”, pastaj hyrja standarde: “Drejtuar shokut… Dhe kryeradhë: Përse ju shoku…”, “Ju pyesim juve…”, e në mbyllje: “Presim përgjigje deri më datë…”. Përshëndetje revolucionare, Kolektivi i Ndërmarrjes, Organizata e Rinisë… apo kush e kritikonte. Deri edhe artistë, futbollistë, klube apo persona për tifozëllëk të sëmurë në stadium, kanë qenë objekt i kritikave. “Përse ju shoku… shfaqni tifozllëk të sëmurë…”. Dhe në mbyllje: “Një grup tifozësh…”etj.
Na thoni dy fjalë për të famshmen “Përgjigje”.
Ajo ishte pjesa më komike. I kritikuari apo çdo subjekt tjetër ishte i detyruar të reagonte brenda afatit kohor që e kushtëzonte fletërrufeja, madje duke e falënderuar atë. Kujtoj disa fraza: “Përgjigje” dhe poshtë saj: “Unë… pasi lexova materialet e Partisë… e kuptoj gabimin… pranoj kritikat etj. … e dënoj veten time… premtoj se do bëj kthesë dhe nuk do e përsëris më etj.”. Përgjigjja e shkruar me dorë e në karton vendosej afër fletërrufesë. Kur sipas fletërrufeistëve autokritika nuk ishte bindëse, shkëmbimet “Fletërrufe – Përgjigje” vijonin pa fund, deri kur sipas tyre ia kishin arritur qëllimit.
Keni ndonjë eksperiencë personale?
Jo. Por ajo atmosfera, ai detaj, nuk u ka shpëtuar as artistëve të kohës. Skenaristi Skënder Plasari e ka vendosur te filmi “Kapedani”, kur Xha Beqos i bënë fletërrufe në fshat, duke e kritikuar. Pra, me anë të një fletërrufeje, edhe plaku mund të kritikohej. Kishte njerëz që refuzonin të jepnin përgjigje, por e mendonin çfarë pasojash kishte. Ose, kujtoj gjithashtu një fletërrufe ku një burrë kritikohej se bashkëjetonte me dy gra. Dhe, ai iu përgjigj: “Fletërrufe, moj fletërrufe, ju jap dy t’vjetra, më jepni një t’re”. Pati jehonë të madhe, se nuk ndodhte që dikush të tallej me fletërrufenë, autorët e saj.
Kryesisht, cili ishte fenomeni që goditej më shumë?
Dëmtuesit e pronës socialiste, por edhe lufta ndaj shfaqjeve të huaja, dhe forca për të ndaluar çdo shenjë apo tentativë e tendencë të tillë. Mbajtja e flokëve të gjata, veshja ekstravagante, pantallonat kauboj, qëndrimet në grupe, deri edhe për antenat e televizorit, kush ndiqte kanalet e dëgjonte radiot e huaja, lexonte libra të huaj, për paraqitje të dobët në mësime, mosrealizime normash, problem pune, mungesa në shkollë, etj., etj., etj. Janë vitet kur kanë dalë e shpërthyer grupet e rinisë, që të ndalonin në rrugë apo kudo nëse të shihnin si një modëndjekës, veçanërisht në plazh, stadium, por edhe në universitete, ndërmarrje etj. Ishte një proces ku angazhoheshin mjaft segmente shtetërore, si organizata e masave, bashkimet profesionale, organizata e gruas, deri tek ajo e pionierit.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut
BRODHA I VETËM SI NJË RE
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri
LETRA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë