Krasniqi: Veriu dhe jugu, bashkë në krim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka lëshuar akuza në drejtim të partive politike se janë të lidhura me krimin dhe korrupsionin ekonomik.
Pa përmendur emra të partive dhe as të bizneseve, Krasniqi ka thënë se disa kompani janë të privilegjuara të mos paguajnë detyrimet financiare falë lidhjeve që i kanë me udhëheqësit e lartë të partive politike, raporton “Express”.
“Nuk është çudi se kompanitë e mëdha tregtare që nuk paguajnë dogana janë të lidhura me politikat e larta të partive politike. Një pjesë e kompanive të mëdha që nuk paguajnë tatim as TVSH, as dogana, unë konsideroj që janë pjesë e një krimi të organizuar që e dëmton zhvillimin e vendit”, ka thënë Krasniqi, në Kuvendin e Kosovës.
Kryeparlamentari ka folur edhe për krimin dhe korrupsionin në veri, duke thënë se ka lidhje direkte edhe me pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës.
“Më kë janë të lidhur ai krim i organizuar i pjesës veriore me një krim të organizuar të pjesës jugore. Dhe, është e pamundshme që me u zhvillu një krim i organizuar ekonomik në pjesën veriore të Kosovës pa një krim të organizuar ekonomik në pjesën Jugore të saj”, ka thënë ai.
Gjatë fjalimit, Krasniqi ka propozuar që të gjithë të punësuar me paga të mëdha dhe në më shumë se një vend pune të paguajnë TVSH më të lartë.
Ai ka shtuar dilemën se si mund që një zyrtar shtetëror të ketë deri në pesë vende të punës dhe të jetë në gjendje t’i kryej me sukses të gjitha.
“Çfarë supermenash janë ata zyrtarë që kanë deri në pesë vende të punës? A mund t’i kryejnë të gjitha detyrat siç i kërkojnë ligjet në Kosovë? Është e pamundshme, prandaj ata njerëz që mbajnë poste zyrtare, ata për çdo ditë e shkelin ligjin. Përditë bëjnë veprime të paligjshme dhe askush s’ua prish tymin e duhanit”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se partnerë ndërkombëtarë i kanë thënë se nuk po vijnë të investojnë në Kosovë sepse po iu kërkohen para.
“Shumë investitorëve, çarqe të caktuara në Kosovë dëshirojnë t’ju hyjnë në hise në investimet e tyre. Dhe, cili do të jetë ai investitor serioz i jashtëm që vjen të investoj në Kosovë kur dikush kërkon t’i hyjë në hise në djersën e tij”, ka thënë ai.
“Derisa këtyre veprimeve të dëmshme nuk ua qesim një pengesë ne mund të flasim ditë e natë për politikat e lehtësuara fiskale se si do të vijnë investitorët, por ata nuk do të vijnë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, në Kosovë mungon vullneti i partive politike parlamentare për të ndalur politikat e këqija korruptive ndaj bizneseve vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/




















































