Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas zgjedhjeve të djeshme ka thënë se PDK-ja e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë.


Tutje ai tha se PDK ka 206 asamblistë të zgjedhur e që sipas tij “mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend”.

“Dhe me gjashtë komuna të fituara, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet. Në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qëndror, ne i fituam tri prej tyre”, ka shkruar Krasniqi.

Siç u shpreh i pari i PDK-së, disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta.

“Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë. Sot dua të falënderoj nga zemra të gjithë kandidatët tanë për kryetarë komunash, në çdo qytet të Kosovës, për angazhimin, dinjitetin dhe energjinë që kanë dhënë gjatë këtij procesi. Për shumë prej tyre, koha do të vijë, sepse puna, karakteri dhe përkushtimi që kanë dëshmuar janë garanci për të ardhmen”.

Krasniqi po ashtu ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun e tij apo siç e quajti “yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund”. /Telegrafi/