KQZ njofton qytetarët për masat që duhet të zbatohen në ditën e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një videoje ka bërë të ditura masat të cilat duhet të zbatojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, gjatë ditës së zgjedhjeve, pra të dielën e 14 shkurtit në Kosovë.
KQZ ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID, ndërkaq thekson se duhet të mbahet distanca fizike në momentin që qytetarët janë në vendvotime.
Njoftimi i plotë:KQZ njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve. Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën; Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim; Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart; Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit; Pas identifikimit, rivendoseni maskën; Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimin dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimin në kutinë e votimit; Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni serisht duart. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit. Për informata shtesë kontaktoni këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555. /Telegrafi/




















































