LAJMI I FUNDIT:

Administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner, i thur lëvdatë Thaçit

Administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner, i thur lëvdatë Thaçit

Administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner, e ka shkruar parathënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, me autor Jacques Baudouin.

Koushner thotë se bashkë me Thaçin e dinin se bashkëjetesa do të ishte e vështirë, se rivendosja e besimit mes dy komuniteteve për të formuar një Kosovë multietnike do të kërkonte kohë, diplomaci, vullnet të mirë, madje njëfarë aftësie të harresës në të dy anët.

“Ai dhe unë punuam krah për krah. Dhe ai nuk kursente asnjë përpjekje gjatë gjithë prezencës sime në vend për ta bërë Kosovën atdheun e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike e secilit. Ndër udhëheqësit e UÇK-së dhe Kosovës, ishte pikërisht Hashim Thaçi ai që kishte menduar më së shumti për të ardhmen. Ai kishte krijuar një vizion të vendit që donte ta linte për brezat e rinj. Pasi që kishte bërë luftë, ai ishte në pozitën më të mirë për të bërë paqe. Ai ishte njeriu i tolerancës, i pajtimit ndërmjet komuniteteve dhe besoj se ai është sot udhëheqësi i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Kouchner në parathënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, të cilën më poshtë e gjeni të plotë.


“Disa vende ju lënë mbresa përgjithmonë. Kam njohur dhe kam udhëtuar në shumë prej tyre, shpesh në kushte të rrezikshme, por pak nga ato më kanë bërë një përshtypje aq të fortë sa ky cep i vogël i Ballkanit, i rrethuar nga malet, ku manastiret e bukura ortodokse qëndrojnë së bashku me xhamitë që datojnë nga Perandoria Osmane dhe kishat e lashta katolike, ku banorët janë të ndryshëm dhe ngurrojnë të tregohen të ngrohtë deri sa të krijohet besimi: Kosova.

A është kjo sepse u çlirua falë zbatimit nga ana e OKB-së e së drejtës së ndërhyrjes humanitare, e cila është shndërruar në “Përgjegjësinë për të mbrojtur” në gjuhën e OKB-së, ose sepse i kam ushtruar përgjegjësitë që më ishin besuar nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm, Kofi Anan?

Pa dyshim për shkak se krimet dhe masakrat i kanë hapur ngadalë rrugën paqes.

“Unë kurrë nuk kam qenë më i lumtur sesa në Kosovë” shkrova në ‘Luftëtarët e paqes’ në vitin 2004. Kjo për arsye se ndihesha i dobishëm, “i nxitur nga dy bindje që janë një e vetme: humanitare dhe politike”. Dhe kur, dhjetë vjet më parë, Kosova u bë e pavarur dhe kjo pavarësi u njoh nga shtetet më të mëdha të botës, me përjashtim të veçantë të Rusisë, mendova se ne – domethënë Kofi Anan, Bill Clinton, Richard Holbrooke, Madeleine Albright, Jacques Chirac, Tony Blair, Lionel Jospin, Robin Cook, Joschka Fischer, por edhe ekipi i bukur i UNMIK-ut – kishim qenë përgjegjës dhe të vendosur, raporton KosovaPress.

Këtë pavarësi, rezultat i viteve të luftimeve, negociatave dhe vendosmërisë nga ana e liderit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit dhe liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, Kosova e kishte paguar shumë shtrenjtë. Kur arrita në Prishtinë në korrik të vitit 1999 në krye të UNMIK-ut, vendi i bartte plagët e luftës së pamëshirshme që trupat serbe kishin zhvilluar kundër UÇK-së dhe popullata shqiptare ende vuante nga abuzimet e milicisë serbe: fshatra të tërë në rrënoja, shteti dhe administrata joekzistente, shërbimet publike të braktisura, varfëria e përhapur e bërë më mizore nga mungesa e gjërave elementare, të ujit dhe shpesh të energjisë elektrike. Pas viteve të luftës kundër marrëzive shkatërruese të Sllobodan Millosheviqit, të spastrimit etnik në një shkallë të madhe që ai e kishte urdhëruar, më shumë se dhjetë mijë të vdekur dhe të zhdukur që trupat dhe paramilitarët serbë i kish in shkaktuar, vendi duhej të rindërtohej plotësisht. Duhej që gjithçka të fillohej nga zeroja. Përballë vuajtjeve të papërshkrueshme të familjeve përgjithmonë në zi, unë e dija, dhe i tërë UNMIK-u me mua, se nuk kisha të drejtë të dështoj. Kosova ishte e lirë, por e dëmtuar deri në rrënjët e saj më të thella.

Por, përtej rindërtimeve materiale, kishte një gjë tjetër, njerëzore, që ishte një prioritet absolut: ishte e nevojshme të pajtoheshin dy komunitete që urreheshin, shqiptarët dhe serbët. Të dy kishin dyshime mbi të ardhmen, ata ishin të mbarsur me një ndjesi historike të mjerimit të vazhdueshëm. Shqiptarët, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, kishin qenë të keqtrajtuar me dekada nga këta të fundit dhe mund të kuptoja se donin hakmarrje. Serbët, të cilët okuponin dhe ende okupojnë veriun e vendit, me të drejtë kishin frikë se do të ishin viktima të hakmarrjeve. E paralajmëruar mbi këto rreziqet, bashkësia ndërkombëtare nuk e fshihte shqetësimin e saj. Ekseset nacionaliste, urrejtjet dhe tensionet kishin lënë gjurmë të pashlyeshme dhe kisha frikë se serbët do të largoheshin nga Kosova në masë. Kjo nuk ndodhi, edhe pse gjatë muajve të parë të periudhës së pasluftës, Kosova nuk kishte as polici, as ligje. Disa serbë, sikurse pas luftërave në Kroaci dhe Bosnje, zgjodhën të shkonin në Serbi për t’i shpëtuar hakmarrjeve nga fqinjët e tyre shqiptarë, por këto largime ishin larg nga të qenit rezultat i dhunës së organizuar apo etnike nga UÇK-ja. Ajo ishte demilitarizuar me sukses dhe, me Rezolutën 1244 të OKB-së, ishin UNMIK-u dhe KFOR-i ata që e siguronin administrimin dhe sigurinë e Kosovës.

Fatmirësisht, nuk pati eksod dhe shumica e familjeve serbe preferonin të qëndronin në tokën e paraardhësve të tyre. Kjo ishte gjithashtu dëshira dhe vullneti i Hashim Thaçit, i cili ishte plotësisht i vetëdijshëm se Kosova, të cilën ai së shpejti do ta udhëheqte, kishte nevojë për të gjithë qytetarët e saj, pra edhe serbët. Në njëfarë mënyre, Thaçi nuk e kishte një detyrë për ta patur zili. Ai duhej të vazhdonte t’i inkurajonte ish-luftëtarët e UÇK-së që të mbështesin një Kosovë të lirë dhe demokratike dhe të mbante fjalime patriotike, ndërsa punonte për të promovuar një Kosovë shumetnike, ku serbët do të ndiheshin si qytetarë të plotë. Aftësia e tij për ta ruajtur ekuilibrin mes këtyre dy poleve kundërshtare dëshmoi shumë herët vlefshmërinë e qasjes së tij pragmatike. Kjo u tregua e dobishme më vonë në Bruksel, kur u nënshkrua marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë.

Ashtu si unë, ai e dinte se bashkëjetesa do të ishte e vështirë, se rivendosja e besimit mes dy komuniteteve për të formuar një Kosovë multietnike do të kërkonte kohë, diplomaci, vullnet të mirë, madje njëfarë aftësie të harresës në të dy anët. Ai dhe unë punuam krah për krah. Dhe ai nuk kursente asnjë përpjekje gjatë gjithë prezencës sime në vend për ta bërë Kosovën atdheun e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike e secilit. Ndër udhëheqësit e UÇK-së dhe Kosovës, ishte pikërisht Hashim Thaçi ai që kishte menduar më së shumti për të ardhmen. Ai kishte krijuar një vizion të vendit që donte ta linte për brezat e rinj. Pasi që kishte bërë luftë, ai ishte në pozitën më të mirë për të bërë paqe. Ai ishte njeriu i tolerancës, i pajtimit ndërmjet komuniteteve dhe besoj se ai është sot udhëheqësi i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. A është kjo arsyeja pse disa njerëz duan ta ndotin atë duke bà «rë akuza sikur ato të përfshira në Raportin Marti? Është e mundur. Unë e di, sepse isha atje, se këto akuza janë po aq imagjinare sa janë absurde. Unë mund të dëshmoj për këtë.

Po, Kosova e meritonte të bëhet një shtet sovran. Ishte një nga sukseset e rralla të bashkësisë ndërkombëtare dhe një sukses i madh për Evropën. Dhe është mirë që një libër të rishikojë historikun e ngjarjeve që çuan në këtë pavarësi. Ato u zhvilluan në fund të shekullit të kaluar, në një botë që nuk ka shumë të përbashkët me atë të sotmen. Një botë që ende kishte pika referimi të njohura dhe të pranuara nga të gjithë. Një botë e aftë për të folur me një zë kur esencialja – paqja ose lufta – ishte në pyetje. Një botë ku fuqia e parë e planetit mbajti lart idealin e saj të lirisë dhe u përpoq ta mbrojë atë me mjaft inteligjencë për t’i mos shkatërruar ekuilibret e mëdha botërore. Kjo kohë ka mbaruar. Një arsye më tepër për të mos e harruar atë dhe për të rikujtuar sesi disa burra dhe gra të vendosur, disa vende dhe organizata ndërkombëtare, të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre, ar ritën t’i japin fund masakrave të tmerrshme në tokën evropiane.

Ky libër na kujton gjithashtu se rruga drejt demokracisë është gjithmonë e gjatë dhe e vështirë. Se demokracia kurrë nuk është e fituar. Se ajo fitohet çdo ditë, siç e përjetojnë në baza ditore udhëheqësit politikë të Kosovës dhe ato vende që kanë vuajtur gjatë nga arbitrariteti dhe diktaturat. Me Hashim Thaçin, President i Republikës pasi që kishte qenë Kryeministër për një kohë të gjatë, Kosova është në rrugën e zhvillimit dhe drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Ai synon, me Serbinë, t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Një shembull i mirë i progresit dhe mirëkuptimit mes popujve të cilët asgjë, shpresoj, nuk do t’i ndajë më. Nuk do të jetë e lehtë: duhet kohë që shpirtrat dashakeq të pushojnë të jenë shembuj për t’u ndjekur; duhet durim që bota të ndryshojë dhe që kjo erë nacionalizmi që fryn stuhishëm të qetësohet.

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin

Lajme
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës

Lajme
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Siguri
Kalo në kategori