Kosova U19 nis përgatitjet për miqësoret, Bunjaku optimist për rezultate pozitive
Kosova U19 ka nisur fazën përgatitore për dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së regjionit të Saksonisë (Gjermani), të cilat zhvillohen më 4 dhe 6 qershor.
Këto miqësore do t’i ndihmojnë përzgjedhësit Albert Bunjaku për t’u përgatitur për kualifikimet e Kampionatit Evropian të cilat fillojnë në muajin tetor.
Përzgjedhësi Albert Bunjaku në këtë grumbullim ka ftuar 23 futbollistë, nga të cilët 17 vijnë nga klubet jashtë vendit, si Gjermani, Zvicër, Norvegji etj,ndërsa tre janë lojtarë vendorë, të cilët e kanë treguar potencialin e tyre me paraqitjet e tyre në muajin mars.
Bunjaku theksoi se përgatitjet kanë nisur me intensitet të lehtë, për shkak të angazhimeve të fundit të disa futbollistëve me klubet e tyre.
“Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Lojtarët janë shumë të angazhuar, intensiteti është i mirë dhe kemi filluar të punojmë në ndërtimin e lojës dhe presingut. Besoj se e kemi cilësinë për të arritur rezultat pozitiv”, deklaroi Bunjaku.
Ai shtoi se, përtej rezultatit, synimi kryesor është që ekipi të përvetësojë filozofinë e lojës dhe bashkëpunimin brenda grupit.
“Këto miqësore janë të rëndësishme për ta zbatuar strategjinë që kemi ndërtuar. Është e nevojshme që futbollistët të udhëheqin filozofinë tonë të lojës –deri tani janë përshtatur mirë, por kemi ende shumë punë për të bërë”.
“Nuk e dimë saktësisht çfarë kualiteti ka kundërshtari, por më e rëndësishme është si do t’i qasemi ne lojës, me çfarë intensiteti dhe qartësie në lojë. Besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, deklaroi Bunjaku. /Telegrafi/































