Kosova U19 fiton bindshëm, Albert Bunjaku i lumtur me debutimin e tij si përzgjedhës i Dardanëve
Kosova U19 ka shënuar fitore bindëse ndaj Saksonisë U19 (regjion i Gjermanisë), me rezultat të thellë 7-1, në ndeshjen e parë miqësore, e cila u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali.
Përkundër fillimit të vrullshëm të mysafirëve, që kaluan në epërsi që në minutën e 5-të me golin e Liam Heidler, Dardanët e rinj të drejtuar nga Albert Bunjaku, reaguan shpejt dhe me vendosmëri.
Golin e barazimit e realizoi Larson Ferati në minutën e 20-të nga pika e bardhë. Më pas, Rin Ahmeti shkëlqeu me dy gola në minutat 32 dhe 38, duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë Kosovës epërsinë.
Në pjesën e dytë, Kosova pati dominim të topit, me ç’rast në minutën e 55-të Leart Salihu realizoi golin e katërt, ndërsa Ardian Murati shënoi edhe dy gola në minutat 70 dhe 85.
Midis tyre, në minutën e 76-të, Drin Lakna kontribuoi me një tjetër gol të bukur, për të kompletuar fitoren 7-1.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës U19, Albert Bunjaku, u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe performancën e ekipit, ndërsa nuk i fshehu as emocionet për ndeshjen e tij të parë.
“Jam i kënaqur me këtë ndeshje, për mua ishte emocion i veçantë për shkak se ishte ndeshja ime e parë me Kosovën në cilësinë e trajnerit. Kundërshtari fizikisht ishte shumë i përgatitur, por jam shumë i kënaqur me djemtë tanë. Nuk ishte e lehtë sepse temperaturat ishin shumë të larta, e po ashtu djemtë tanë kishin presion për ta fituar këtë ndeshje. Gjithsesi jam shumë i lumtur”, deklaroi Bunjaku. /Telegrafi/
































