LAJMI I FUNDIT:

Kosova nuk mori garancinë e premtuar nga Moska

Kosova nuk mori garancinë e premtuar nga Moska

Në Botërorin e pinpongut të mbajtur në Rusi ditë më parë, organizatorët nuk e vunë flamurin e Kosovës në sallë, e as në ekranet pranë tavolinave të pingpongut, ku shfaqeshin emrat e lojtarëve sa herë që luanin.

Pas kësaj, Kosova në shenjë revolte refuzoi të luante në dy meçe për të ngritur çështjen në një nivel tjetër. Si pjesë e bisedimeve për kthim në gara, kosovarët kërkuan një letër-garanci nga Komiteti Olimpik i Rusisë se në të ardhmen nuk do të pengohet asnjë sportist në garat që mbahen në këtë vend.

Rusët u pajtuan me këtë kërkesë, por mbeti vetëm premtim i tyre. Kosovarët u kthyen nga Rusia pa letrën e kërkuar dhe druajnë se edhe në të ardhmen do të kenë probleme në Rusi, shkruan sot Koha Ditore.

Problemi me të cilin u përballën pingpongistët kosovarë në Ekaterinburg gjatë kampionatit evropian nuk është i pari që iu shfaqet sportistëve nga Kosova në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Rusi dhe në vendet që ndjekin politikën e Rusisë.


Pingpongistët kosovarë në kampionatin që u mbajt në Ekaterinburg të Rusisë njohën vetëm humbje, dhe sikur kjo të mos mjaftonte, autoritet e Rusisë u kujdesën që qëndrimin e kosovarëve në këtë qytet ta bëjnë edhe më të pakëndshëm.

Fillimisht flamuri i Kosovës nuk u shfaq në sallën ku u mbajt evropiani, ndonëse aty u shfaqën flamujt e të gjitha vendeve të tjera pjesëmarrëse në evropian. Më pas flamuri i Kosovës nuk u shfaq as në ekranet ku prezantoheshin emrat e lojtarëve që luanin.

Në ato ekrane pranë emrit të secilit lojtar që luante shfaqej edhe flamuri i vendit prej nga është pingpongisti. Kur luanin pingpongistët kosovarë nuk shfaqej flamuri.