Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në një konferencë për media ka ndarë detaje nga takimi i sotëm të komitetit të CEFTA-s që këtë vit kryesohet nga Serbia.

Hajdari ka thënë se pikë e parë e rendit të ditës në këtë takim ka qenë miratimi i vendimit për largimin e përfaqësimit të Kosovës nga UNMIK-u në këtë mekanizëm.


“Kemi pasur takimin special të komitetit të CEFTA-s të kryesuar nga Serbia për këtë vit. Në këtë takim si pikë e rendit të parë ka qenë miratimi i vendimit nr.8/2007 mbi rregullat e procedurës së funksionimit të CEFTA-s. Ju njoftojmë se përmes këtij vendimi të miratuar përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekeve të shumta dhe konsistencës të Kosovës për të rregulluar pozicion e saj në këtë mekanizëm”, tha Hajdari.

Ajo shtoi se nga sot Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut.

“Ky është një rezultat i madh i qeverisjes tonë", ka thënë Hajdari.

Hajdari ka shtuar se janë miratuar gjithashtu 13 vendime të cilat kanë qenë në diskutim për 3 vjet në nivel teknik, por që nuk janë votuar deri pas rregullimit të përfaqësimit të Kosovës.

461459932 1090032069511728 238683891715607451 n

“13 vendimet tjera që janë mriatuar nuk janë të parëndësishme sepse përfshijnë qasje të barabartë ekonomike dhe tregtare në fushat: protokolli shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të CEFTA-s – një mekanizëm që ka qëllim të përcaktojë procedurën për zgjedhjen e barrierave të pajustifikuara apo shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s nga ndonjëra palë; vendimin për lehtësimin e tregtisë elektronike; vendimi në aspektin tregtar të të drejtave të pronësisë intelektuale; vendimin për disiplinat që vendosin një sistem të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale; vendim për lehtësimin e tregtisë për shërbimet të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë; vendimi për krijimin e sistemit elektronik për tregtinë e mallrave; vendimi për njohjen e programeve operatore ekonomik të autorizuar; vendimin për themelimin e organeve të CEFTA-s; vendimin për shërbimet për dorëzimin e parcelave ndërpalëshe; vendim për ndryshimin e funksionimit të sekretariatit të CEFTA-s; si dhe rekomandimin për lehtësimin e sigurimi të përgjegjësisë ndaj dëmit ndërmjet palëve të treta në kuadër të CEFTA-s”, ka thënë Hajdari.

Ministrja shtoi se procesi i votimit ka shkuar lehtë dhe pa ndonjë pengesë.

Ndërkaq këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj ka deklaruar se pas këtij vendimi, edhe tregu i përbashkët rajonal merr kuptim tjetër.

“Ky është një rezultat kolektiv i qeverisë, një ditë shumë e mirë dhe me rëndësi për proceset që i kemi sidomos në Procesin e Berlinit ku më 14 tetor do të arrijmë një marrëveshje të re dhe tregu i përbashkët rajonal tash merr një kuptim tjetër dhe me planin e rritjes nga BE-ja”, tha Zulfaj. /Telegrafi/