Kosova mban stërvitjen e parë para sfidës me Suedinë, dy lojtarë lirohen nga grumbullimi

Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Suedisë, pasi sot (e shtunë) paradite ka mbajtur stërvitjen e parë.
Kosova luajti baras 0-0 ndaj Sllovenisë të premten mbrëma në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Megjithatë, përzgjedhësi Franco Foda ka nisur menjëherë sot stërvitjet për ndeshjen e së hënës ndaj Suedisë.
Pjesa e futbollistëve që luajtën ndaj Sllovenisë kanë kryer rigjenerim në hotel, ndërsa të tjerët kanë zhvilluar seancë stërvitore në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Sipas faqes zyrtare të FFK, nga grumbullimi janë liruar Fidan Aliti, për shkak të pezullimit me kartonë, si dhe Lumbardh Dellova, i cili nuk ka arritur të rikuperohet plotësisht nga lëndimi.
Dardanët do ta zhvillojnë nesër paradite stërvitjen e fundit para ndeshjes me Suedinë dhe më pas udhëtojnë drejt Goteborgut. /Telegrafi/




















































