Përfaqësuesja e Guinesë Ekuatoriale në futboll, në Kupën e Afrikës të mbajtur nga 17 janari deri më 8 shkurt të këtij viti, pikërisht në këtë vend, u rendit në pozitën e katërt. Ky u vlerësua një sukses i madh dhe i papritur për vendin në Afrikën Qendrore që ka sipërfaqe prej 28 mijë kilometrash katrorë dhe pak mbi 700 mijë banorë.

Më 10 tetor tifozët e futbollit në vend do të kenë mundësinë të shohin nga afër forcën e vërtetë të përfaqësueses së Guinesë Ekuatoriale. Në stadiumin e qytetit në Prishtinë nga ora 15:00 përfaqësuesja e Kosovës do të luajë miqësore me këtë përfaqësuese afrikane, shkruan sot kohaditore.


Federata e Futbollit të Guinesë Ekuatoriale të martën ka dërguar në Federatën e Futbollit të Kosovës konfirmimin për zhvillimin e miqësores e po ashtu edhe listën e lojtarëve. Pritet që Guineja Ekuatoriale të paraqitet në miqësore me Kosovën me përbërjen më të fortë.
 

telegrafi sport app