LAJMI I FUNDIT:

Kosova e Shqipëria më 10 qershor flasin edhe për mobilitetin e profesorëve

Kosova e Shqipëria më 10 qershor flasin edhe për mobilitetin e profesorëve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka takuar rektorët e universiteteve publike, të cilët i ka njoftuar për një tryezë të përbashkët me Shqipërinë e cila do të mbahet në Prizren më 10 qershor dhe ku do të jenë prezent edhe rektorët e universiteteve publike.

Ai i ka thënë rektorëve se ndër temat kryesore të takimit do të jetë mobiliteti i profesorëve për programe të rëndësishme, por që janë në rrezik të mbyllen në mungesë kuadrosh.

Ministri Bytyqi i ka njoftuar ata për disa pika të rëndësishme bashkëpunimi në mes të universiteteve publike të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë me interes për të dyja vendet, të cilat kanë dal nga takimi me ministren e Arsimit të Shqipërisë që është mbajtur muajin e kaluar.


“Temë tjetër e rëndësishme e takimit të 10 qershorit do të jetë bashkëpunimi më i ngushtë mes instituteve të historisë, me qëllim të harmonizimit dhe funksionalizimit të të dy instituteve dhe krijimi i një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve. Gjithashtu, në ketë takim diskutuam edhe për organizimin e një kampusi veror tradicional për studentët e të gjitha viseve shqiptare”, thuhet në njoftimin e ministrisë.