Vashat e Kosovës e kanë mposhtur Lihtenshtajnin, me rezultat bindës 4-0, në ndeshjen e parë miqësore që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali.

Trajnerja Anneli Andersen hodhi në fushë formacionin me këtë në përbërje: Besarta Leci, Rrezona Ramadani, Valentina Limani, Lumbardha Misini, Albulena Guri, Erëleta Memeti, Merita Bajrami, Feride Kastrati, Kaltrina Biqkaj, Donjeta Halilaj dhe Edona Kryeziu.


kosova femrat  1

Dardanet patën paraqitje të mirë duke dominuar që nga fillimi, por golin e epërsisë e arritën në minutën 41-të nëpërmjet Erëleta Memetit.

Kosova pati edhe disa raste në pjesën e parë por që nuk arriti t’i konkretizoi.

Dardanet nuk e ndryshuan ritmin as në pjesën e dytë, edhe pse trajnerja bëri ndryshime në formacion.

Pak minuta pasi filloi kjo periudhë e lojës, Kosova përfitoi penallti në minutën 58, të cilën me saktësinë e ekzekutoi Feride Kastrati, për rezultatin 2-0.

kosova femrat9  1

Tre minuta më vonë Kaltrina Biqkaj e shtoi epërsinë në 3-0, me çka Kosova veçse e vulosi fitoren.

Megjithatë, as kjo epërsi e lartë nuk i ndali Dardanet, të cilat luajtën pa presion dhe në minutën e 87-të Jehona Shala shënoi për 4-0, me të cilin rezultat edhe përfundoi takimi.

Ndeshjen e dytë miqësore kundër Lihtenshtajnit, Kosova e zhvillon të dielën nga ora 11:30 po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali.

kosova femrat1  1

Këto miqësore i shërbejnë Kosovës të përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kombeve që nisin në shtator.

telegrafi sport app