Ministria e Ekonomisë ka mbajtur takimin e tretë të Komitetit Drejtues të projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, projekt i financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, LuxDev.

Takimi u hap nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e tranzicionit energjetik dhe në përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike në Kosovë.


Sipas saj, përmes këtij projekti po forcohen kapacitetet institucionale dhe po avancohen politikat që synojnë zhvillimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më të pastër.

Në fjalën e tij, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, rikonfirmoi përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në sektorin e energjisë dhe klimës.

Gjatë takimit u miratua rendi i ditës, ndërsa menaxheri i projektit prezantoi progresin e arritur gjatë vitit 2025 në kuadër të projektit. Po ashtu, u prezantua edhe Plani Vjetor Operativ për vitin 2026, së bashku me programimin financiar për të njëjtën periudhë.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit diskutuan mbi aktivitetet e realizuara dhe prioritetet për periudhën e ardhshme, duke validuar drejtimet kryesore për zbatimin e projektit gjatë vitit 2026.

Takimi u përmbyll me disa rekomandime nga pjesëmarrësit, ndërsa u dakordua që data e takimit të ardhshëm të Komitetit Drejtues të përcaktohet në koordinim ndërmjet palëve.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, projekti paraqet një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe për të forcuar politikat për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Në këtë takim, përveç ministres Artane Rizvanolli dhe të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Luksemburgut, Eric Dietz, morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, përfaqësuesi rezident i LuxDev në Kosovë, Giovanni Tordini, Jessica Spaus nga Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut, Virginie Le Couster dhe James Stewart nga LuxDev, Avni Zogiani dhe Servet Spahiu nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Jetlirë Krasniqi nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Arian Lila nga Ministria e Ekonomisë, Arta Hoxha dhe Brikena Muçolli nga LuxDev, Gent Berisha nga KIESA si dhe Petrit Ahmeti nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.