LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe liria që s’e kemi

Kosova dhe liria që s’e kemi
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Fjala ‘liri’ ka diçka magjike brenda vetes; ngjallë emocione të forta te çdo njeri. Konotacionet e saj janë pothuajse ekskluzivisht pozitive. Nëse një grup përshkruhet si grup i “luftëtarëve të lirisë”, kjo automatikisht e aprovon kauzën për të cilën ata luftojnë.

Por, duket sikur nuk ka asgjë nën këtë qiell që nuk është keqpërdorur. Edhe kauza dhe lufta për liri është keqpërdorur. Kush më mirë se ne e di këtë. Për 20 vite, ‘sakrifica në luftë dhe dashuria për liri’ është treguar si recetë, si formulë e suksesshme për grabitje, zhvatje, pasurim, kapje të pushtetit, e çfarë jo tjetër.

Pasardhësit e “komandantit legjendar”, por edhe ata të “presidentit legjendar” kanë abuzuar shumë keq me konceptin e ‘lirisë’ që thonë na kanë sjellë neve, ndonëse kjo s’është krejtësisht kështu. Po të mos ishin anglo-amerikanët, edhe përkundër sakrificës dhe flijimit tonë, vështirë që do dinim ç’është liria. Literalisht, kanë qenë këta të fundit që na kanë nxjerrë nga një burg kolektiv 10-vjeçar.


Çuditërisht, edhe kur u ‘çliruam’, nuk ndjeheshim të lirë në çdo aspekt. Ashtu sikurse, paradoksalisht, edhe nën okupim në disa aspekte ndjeheshim të lirë. Këtë mund ta konfirmojnë të gjithë ata që kanë jetuar në Kosovë para dhe gjatë luftës. Siç do thoshte filozofi Isaiah Berlin, kjo nënkupton koncepti i lirisë nuk është ‘krejt ose asgjë’. Njeriu mund të jetë i lirë në disa aspekte, por jo edhe në disa aspekte të tjera.

Në esenë e tij të njohur, “Dy koncepte të lirisë” (1958), filozofi flet për dy lloje themelore të lirisë së njeriut: liria negative dhe liria pozitive. Liri negative e quan lirinë e zgjedhjes – sa jemi të lirë të veprojmë apo të bëjmë, pa u penguar nga një forcë e jashtme? Shtrirja e lirisë sime negative përcaktohet, figurativisht, nga numri i dyerve të hapura, apo sa dyer janë lënë të shkyçura, të hapura për mua. Fjala është për numrin e mundësive që më ofrohen në jetë, pavarësisht nëse i shfrytëzoj këto mundësi apo jo.

Ata që kanë jetuar në Kosovë gjatë viteve ‘90-të të shekullit të kaluar, e dinë mirë se Kosova ka qenë burg i madh. Për ne, numri i dyerve të hapura literalisht ka qenë zero. Kemi mundur veç të marrim frymë, të shtiremi kinse po jetojmë dhe po punojmë. Ata që na mbanin në burg ishin kujdesur ta lënë veç një derë të hapur – atë të ikjes nga vendi.

Nga mesi i qershorit 1999, ne dolëm nga ‘burgu’ – në fakt na liruan, se nuk dolëm vet. Nga ajo kohë, si në një ëndërr, numri i dyerve të hapura ishte i madh, pakrahasimisht më i madh edhe nëse e krahasojmë me vitet 1970-80. Juridikisht u bëmë shtet, por nuk po arrijmë të kontrollojmë lirinë tonë dhe fajtor për këtë nuk është më shteti serb. Kemi ngadhënjyer karshi lirisë negative, por nuk po ia dalim të bëhemi fitimtar karshi lirisë pozitive.

Në debatet që kam me studentë, kryesisht rreth notave që u vë, shpesh them se nuk jam unë pengesë që ju s’merrni nota të larta. Nota e lartë nuk varet nga unë. Në kuptimin e lirisë negative ju jeni të lirë të studioni, pasi askush nuk ju pengon ta bëni këtë. Askush nuk ua fsheh librat; askush nuk ju tërheq zvarrë të shkoni dhe ta kaloni kohën jashtë ambienteve të dijes; ose, askush nuk ju lidh me zinxhirë për kolltuk për të serfuar apo luajtur tërë kohën me iPad ose iphone. U them që ju mund të jeni jo të lirë në kuptimin pozitiv, sepse mund të jeni skllevër të dëshirës dhe prirjeve irracionale të njeriut.

Me këtë dua te them se nëse askush nuk na pengon të bëjmë diçka, nuk nënkupton që jemi krejtësisht të lirë. Arritja e lirisë pozitive lidhet me shfrytëzimin e potencialit tonë, ndërkaq veç posedimi i potencialit nuk paraqet vlerë apo liri. Aftësia për të shfrytëzuar potencialin që kemi është vlerë, është liri.

Pa pretenduar që i kam bërë analizë shteruese nocionit të lirisë pozitive, dua ta mbyll shkrimin duke e parafrazuar filozofin Berlin: “…kuptimi ‘pozitiv’ i fjalës ‘liri’ rrjedh nga dëshira e individit dhe shoqërisë për të qenë zot të vetes; që fati i jetës të varet nga vetja e tij e jo nga forcat e jashtme të çfarëdo lloji. Të kesh liri pozitive do të thotë të jesh instrument i vetes e jo i veprimeve të tjerëve. Liri pozitive do të thotë të jesh subjekt, jo objekt; do të thotë të udhëhiqesh nga arsyeja, jo nga emocioni apo nga dëshirat perverse; do të thotë të udhëhiqesh nga qëllimet e vetëdijshme që janë të miat, jo nga shkaqet që vijnë nga jashtë. Liri pozitive për një individ apo shoqëri nënkupton vullnet dhe dashuri për të qenë dikush, e jo askushi; të jesh një bërës – duke vendosur vet, e jo të vendosur dikush tjetër për ty. Do të thotë të jesh vetëdrejtues e jo i drejtuar nga forcat e jashtme irracionale sikur të ishe një send, ose një kafshë, ose një skllav i paaftë për të luajtur një rol njerëzor…”

Ky është thelbi i asaj që filozofi e quan njeri apo shoqëri racionale.

A është shoqëria Kosovare duke e jetuar lirinë e plotë? A po punojmë edhe si individë edhe si shoqëri që të realizojmë lirinë e plotë?

Përgjigjen më të mirë për këtë mund ta japin ata që kanë jetuar në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës.