Republika e Kosovës dhe ajo e Francës kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke nënshkruar deklaratën për shprehje të interesit që synon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe territoriale mes dy vendeve.
Zotimi është nënshkruar nga ministri i Kulturës z. Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, zëvendësministrja Punëve të Jashtme znj. Liza Gashi, dhe ambasadorja e Francës në Kosovë znj. Marie-Christine Butel.
Marrë parasysh frymën e bashkëpunimit ekzistues mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës, si dhe aderimin e Kosovës si anëtare e asociuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në tetor të vitit 2018, palët janë shprehur të gatshme të zgjerojnë bashkëpunimin për ta forcuar këtë lidhje.
Me këtë marrëveshje pala kosovare dhe ajo franceze kanë shprehur interesin për të mbështetur projekte dhe organizime të ndryshme mes Kosovës e Francës, me mjete konvencionale, financiare dhe njerëzore, brenda një kalendari 2022 – 2024.
Projektet i përkasin fushës së kulturës, diplomacisë kulturore dhe arsimit.
Paraqitja në Festivalin e Kanës, në festivalin në Avingon dhe partneriteti me La Manufucture janë vetëm disa nga projektet që synohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës madje edhe në bashkëprodhim të filmave.
Një pikë e rëndësishme gjithashtu është mbështetja e industrisë kreative evropiane dhe territoriale, në veçanti nga Ambasada e Francës në Kosovë, dhe Ambasada e Kosovës në Francë, për të mirën e projekteve të para të bashkëpunimit (Horizon Europe / ENFORCE, Creative Europe / Les Jardins de la Paix , Reflektimet e para territoriale (në Hauts-de-France …), në dobi të bashkëpunimit dhe ‘binjakëzimit’.
Ndër të tjera, Deklarata e shprehjes së interesit, parasheh mobilizimin e akterëve kulturorë, edukativ dhe universitarë si dhe profesionistëve të Kosovës e të Francës për të vendosur marrëdhënie të qëndrueshme strategjike dhe territoriale.
Bashkëpunimi i ngushtë në fushat e trashëgimisë dhe kulturës, me theks në arkeologji dhe në artin bashkëkohorë janë ndër temat e deklaratës, si dhe angazhimi për realizimin të projekteve si Manifesta 14 dhe programi i BE-së, Creative Europe.
Deklarata parasheh përgatitjet strategjike për Samitin e Frankofonisë 2024 dhe për Lojërat Olimpike Paris 2024, gjithashtu evoluimin e statusit të Kosovës pranë Organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë.