Nga 1 korriku, Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano ndodhet në një adresë të re. Ajo është larguar nga sheshi qendror i Duomos, vend prestigjioz por pak i përshtatshëm për pritjen e qytetarëve, e që nga 1 korriku është vendosur në ambientet e reja në rrugën Giovanni Battista Pirelli, 30, pranë stacionit qendror të trenit.

Ky ndryshim ishte paralajmëruar në fund të janarit, kur konsujt Luljeta Çobanaj dhe Rezart Shkëmbi u kishin kërkuar këtë gjë kryeministrit Rama e ministrit të Jashtëm Bushati gjatë vizitës që bënë në konsullatën e Milanos, shkruan shqiptariiitalisë.com.


Kryeministri mbështeti kërkesën e tyre për kalimin e konsullatës në hapësirë të re, edhe për faktin se pranë konsullatës pritet të atashohet edhe konsulli i Kosovës dhe ajo do të fillojë të funksionojë si përfaqësi e të gjithë shqiptarëve.

“Do të kalojmë diku tjetër në mënyrë që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu dhe që të ofrojmë shërbime sa më të mira”, tha atëherë edhe ministri Bushati.

Konsullja e Përgjithshme Luljeta Çobanaj thotë tani për Shqiptariiitalise.com se puna për gjetjen e selisë së re nisi menjëherë e tani janë të kënaqur për mjediset e reja.

“Për disa arsye: nga 1 korriku do të kemi në dispozicion 350 metra katrorë (më se dyfishi i ambienteve që kemi në sheshin e Duomos), në një kat të parë me hyrje më vete. Për më tepër qiraja do të jetë 30% më e vogël se ajo e paguar deri tani”.

“Në konsullatën e Milanos jemi tre konsuj e një staf teknik prej tre personash për pasaportat dhe kemi një fluks ditor prej 150 qytetarësh”, thotë konsullja që shton se së shpejti numri i personave që do t’i drejtohen Konsullatës do të rritet ndjeshëm.

Gjithashtu bëhet e ditur se brenda korrikut, e njëjta seli do të përdoret edhe nga një staf konsullor i Republikës së Kosovës.

“Konsullata do të jetë e të gjithë shqiptarëve. Në hyrje të saj do të jenë tre flamuj, shqiptari, kosovari dhe italiani, dhe e shkruara “Eja të flasim shqip” me të cilën do t’u japim mirëseardhjen të gjithëve”, thotë Çobanaj. /albinfo/