Nga: Dashnor Kokonozi
Kur flitet për regjimet komuniste që uzurpuan Evropën Lindore dhe veçanërisht kur lihet të kuptohet se Shqipëria ishte një vend komunist si gjithë të tjerët, rregullisht më vjen ndërmend libri Horizontet e kuq i gjeneral Ion M. Pacepa, këshilltar i presidentit Nicolae Ceausescu, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme, shef i Shërbimeve të spiunazhit të Rumanisë etj., i cili u arratis në Perëndim vite para se të binte Muri i Berlinit. Më ndërmendet ai dhe jo ndonjë tjetër, se kush më shumë se ai ishte i interesuar të nxirrte në dritën më të keqe regjimin komunist të Çauseskut? Kjo është arsyeja që duke përfituar nga pushimet e fundit, e rilexova edhe një herë këtë libër, pas më shumë se njëzet vjetësh dhe u ula t’i bëj një paraqitje, me shpresën se nuk do të vazhdojë më trafikun e tij të bezdisshëm në kujtesën time. Një akt i lehtë autoekzorcizmi, pra.
Gjeneral Pacepa e fillon librin me një telefonatë nga shefi i tij, presidenti i Rumanisë, Çausesku, i cili e urdhëron të paraqitej urgjentisht në rezidencën “Neptun”, diku në bregun e Detit të Zi.
Përpiqem të bëj disa llogaritje dhe me një farë diference në kohë del që takimi i diktatorit rumun ka të ngjashme takimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha me ministrin e tij të brendshëm, të cilin e ka thirrur në rezidencën e tij verore në Pogradec, për të marrë të rejat e fundit rreth pohimeve të një grupi të arrestuarish, ministra e lart, që atë verë nuk po jetojnë ditët më të lumtura të jetës së tyre.
Në saje të kujtimeve të gjen. Pacepa (për amatorët e historisë “së vogël” shtoj se ai thotë diku se nuni i tij ishte Nikolae Iorga, një personazh i vyer për historinë e Shqipërisë, të cilit Ahmet Zogu i kishte shprehur gatishmërinë t’i ndërtonte në Sarandë një institut studimesh që ta drejtonte ai vetë), ne mund të mësojmë me saktësi se çfarë është biseduar atë ditë në bregun e Detit të Zi, për ta krahasuar pastaj me bisedën e atyre “tanëve” në Pogradec.
Pacepa, me inatin që ka, e përshkruan shefin e tij që së largu tek ka marrë një “pozë napoleoniane”, me dorën mbi stomak dhe gjëja e parë që ai i thotë (duke iu marrë goja, siç i ndodhte kur ishte i inatosur) është:
– Edhe për sa kohë do të zvarrisni punët për të realizuar bashkëpunimin tonë me Fokker-in?
Gjenerali shpjegon se qëllimi për të bashkëpunuar me Fokker-in (një shoqëri aeronautike franko-gjermano-holandeze), ishte prodhimi në Rumani i avionit të famshëm. Por, Fokker-i, nga ana tijm e zvarriste punën sepse dyshonte se Bukureshti synonte që nëpërmjet këtij bashkëpunimi të kishte mundësi të njihej me teknologjinë e aeronautikës ushtarake të Francës dhe Gjermanisë perëndimore. Dhe për të shpejtuar punët (këtu del edhe qëllimi i kësaj thirrje urgjente) Çausesku e urdhëron këshilltarin e tij të niset urgjent e të takojë kancelarin Helmut Schmidt, të cilit duhet t’i japë një mesazh personal (si zakonisht gojor, se Çausesku e ka bezdi të ulet e të shkruajë), pastaj të shkojë e të takojë edhe princin Bernhard të Holandës, me qëllim që këta dy burra ta ndihmojnë të arrihet ky bashkëpunim, duke i dhënë sigurinë absolute që asgjë nga teknologjia e perëndimit nuk do të bjerë në duart e Moskës …
Ndërkohë, aty vjen edhe zonja Çausesku e cila me këtë rast i thotë gjeneralit që kur të kalonte nga Parisi të blinte për të ca sende luksi që do t’i vishte në ditën e festës kombëtare të Rumanisë (këtu ne e dimë se zonjat e nomenklaturës shqiptare, të tilla shërbime ia besonin personave me grada mjaft më modeste).
Ka shumë arsye përse ky libër, që pati pasoja eksplozive në kohën e botimit, nuk mund të përdoret si lëndë krahasimi midis regjimit që sundoi në Shqipëri dhe atij rumun. Mbi të gjitha sepse as që mund të mendohet ndonjë shef shqiptar shërbimesh sekrete (kryesisht fshatarë të ashpër të cilëve nuk u kërkohej veçse besnikëri qeni ndaj shefit) që do të kishte një shkallë të tillë atdhedashurie, kuraje dhe emancipimi sa të ulej e të tregonte të vërtetën për armën më të ashpër e më të ndyrë të regjimit, atë që bëri që shumë vetë të ikin të lemerisur e të ndjejnë veç neveri për vendin e tyre. Ndaj, në mungesë (duke lënë mënjanë ditarin e Enver Hoxhës ku del se tamam në atë kohë, me gjithë kundërshtimin e kinezëve se nuk kanë garanci teknike, urdhëron të sjellin ca avionë që përfundimisht u morën jetën aq pilotëve shqiptarë, midis të cilëve dikujt që e kam njohur mirë!) i referohemi takimit të diktatorit shqiptar me ministrin e tij të Brendshëm, që sipas Kujtimeve të bashkëshortes së E. Hoxhës, është realizuar pasi ky i fundit ka paraqitur Tablonë sinoptike (një litani prej fallxhoreje paranojake në të cilën ai rrekej të jepte shpjegimin total për origjinën dhe qëllimet e veprimtarisë armiqësore të personave të arrestuar) dhe pret pohimet e nxjerra nën torturë të viktimave të tij VIP. Dhe, ministri i Brendshëm, një personash qendror i barsoletave të kohës, vjen t’i thotë se gjithçka rezulton të jetë ashtu siç kishte hamendësuar ai në Tablonë e tij. Të arrestuarit kanë pranuar vetë se kanë qenë armiq.
Kjo sa për të kuptuar diçka nga planifikimi i përditshmërisë së dy diktatorëve, çfarë i zbavit më shumë ndërkohë që janë me pushime, njëri buzë Detit të zi dhe tjetri buzë liqenit të Pogradecit.
Tani, unë nuk mund të spekuloj e të them se kur e përcolli te dera, Hoxha i dha ministrit të tij të brendshëm ndonjë nga ato porositë e tij të zakonshme “filani të torturohet para se të pushkatohet” edhe pse del që shpesh të arrestuarit e niveleve të tilla rrihen me dru deri në vdekje nga shefa të Sigurimit (ekzekutohen me rrahje), por pasion të veçantë për të rrahur ata që nuk e duan ka edhe Çausesku, siç do ta shohim më pas.
Hoxha nuk lejonte mëdyshje. Nëpërmjet Zërit të Popullit dhe monologëve të tij funebër nëpër Kongrese, ai nuk na linte fare të dyshonim se ne kishim fatin të jetonim në një vend të begatë, të sigurt e të lumtur (duke shtuar rregullisht se e ardhmja do të jetë akoma më e lumtur), dhe jashtë kufijve të tij sundonte shfrytëzimi i “njeriut nga njeriu”. Çausesku nuk paraqitet shumë i vendosur. Ai nuk e vë në dyshim se vendi i tij noton në lumturi dhe mirëqenie, por dyshon se mbase ka edhe ndonjë vend tjetër që mund t’i afrohet. Amerika, p.sh..
Me sa del në libër, Çausesku e ka vizituar atë të paktën pesë herë (e përfytyroni qoftë edhe për një sekondë një vizitë të Hoxhës në Amerikë, dhe nuk po flas për takimet e tij me Papën e mbretëreshën e Anglisë) dhe e ka bindur t’i japin statusin e vendit të privilegjuar në marrëdhëniet tregtare, duke përfituar kështu teknologji moderne dhe devizë të fortë.
Diku në vizitën e tij të tretë a të katërt, i shtyrë nga e shoqja Elena, ai viziton në Nju-Jork një qendër të madhe tregtare, “Macy’s” (nuk e di në ekziston më), ku u shoqërua nga drejtori i saj. Pacepa thotë se në fund të vizitës Çausesku kishte mbetur pa mend.
– Si mundën t’i sjellin kaq shpejt gjithë këto mallra? – pyet ai ambasadorin e tij.
Ky, duke e kuptuar se udhëheqësi i vendit të tij mendonte se qendra tregtare ishte furnizuar shpejt e shpejt me rastin e vizitës së tij, përpiqet t’i shpjegojë të vërtetën, por ndërkohë ndërhyn Elena që e këshillon të shoqin të mos i dëgjojë pallavrat e ambasadorit. Ky, thotë ajo, meriton të kthehet në Bukuresht për një kurs edukimi politik dhe të lexojë Scinteia-n (simotrën rumune të Zërit të Popullit). Çausesku nuk është i sigurt për këtë, por të nesërmen, gjithnjë dyshues për të vërtetën e “Macy’s” ai porosit Pacepan të shkojë fshehurazi te qendra komerciale dhe t’i tregojë të vërtetën nëse janë zbrazur raftet e saj të mallrave.
Viktimë e propagandës së vet, ai kurrë nuk besonte se një vend jo komunist mund të plotësonte nevojat ushqimorë të popullsisë së tij.
Vetëm një ideologji si komunizmi dhe fanatizmi fetar mund t’u errësojë arsyen njerëzve në këtë farë derexheje. Me këtë rast më kujtohet të kem lexuar diku se kur ambasadorit turk në Londër i folën për ligjet e mekanikës qiellore që sapo ishin formuluar nga Njutoni, ai menjëherë tha: Është e pamundur që një gjë kaq të madhe Allahu t’ia ketë zbuluar një të pafeu!
Por, për mua, nuk është kjo mendjembyllje me origjinë ideologjike më e rëndësishmja e kësaj historie. I etur që çdo gjë të mrekullueshme që shihte nëpër botë ta kishte edhe në vendin e tij, Çausesku me t’u kthyer në Bukuresht dha urdhër të ndërtohet një qendër e madhe tregtare, si ajo që kishte parë në Amerikë, gjë qe edhe u realizua. Magazina në fjalë u mbush ditën e parë të përurimit, e u zbraz brenda një kohe të shkurtër. Me tej, raftet e saj furnizoheshin vetëm kur vizitohej nga delegacione të ndryshme të huaja apo nga vetë Çausesku.
Gjatë një vizite tjetër amerikane atë e pritën në NASA, dhe ndërsa po shoqërohej në mjediset e saj nga astronomi J. Young, ky i fundit i shpjegon se në Qendrën Hapësinore punonin 3 600 inxhinierë, matematikanë, pilotë, astronomë etj. Çausesku kthehet nga Pacepa dhe i thotë.
– Ne kemi më shumë se kaq në uzinën tonë të këpucëve.
Vjedhja e teknologjisë perëndimore së bashku me rekrutimin e agjentëve në vendet e tjera për të lobuar e punuar në favor të Rumanisë është një nga obsesionet e tij më të mëdha. Por, si komunist që ishte Çausesku, nuk mund t’i kalonte anash edhe kënaqësisë për të rrahur ata që kritikonin kultin e tij.
Pacepa, sjell disa fakte që lexuesi shqiptar i kohës do ta kishte vështirë t’i interpretonte.
Një porosi e tillë u dha për shkrimtarin Paul Goma, një disident rumun i papërkulur që ishte bërë shkas i zemëratave të pakontrolluara të Çauseskut, se jo vetëm denonconte kultin e tij të individit, por organizonte edhe grupime të tëra shkrimtarësh për të denoncuar pranë Komitetit të Helsinkit mosrespektimin e të të Drejtave të Njeriut.
Kur një gjë e tillë ndodhi ndërkohë që ai përgatitej për udhëtimin e radhës në Amerikë, Çausesku në tërbim e sipër dha urdhër t’i jepej një dajak i mirë Paul Gomas dhe të mbahej ca kohë i arrestuar. Kishte tmerr t’i bënin pyetje për problemet që ngrinte Goma gjatë vizitave jashtë vendit. Me ta nxjerrë Goman nga burgu, ai nisi një njeriun e tij pranë presidentit Jimmy Carter, për ta bindur se ai vetë si president ishte fort i shqetësuar për respektimin e të Drejtave të Njeriut në Rumani dhe bënte çmos që të ruheshin të gjitha standardet.
Kur nga Uashingtoni erdhi një telegram që njoftonte se Carteri i kishte pranuar shpjegimet e dhëna, ai, me inatin e tij prej fshatari, porositi t’i jepet edhe një dru tjetër Gomas “që ta mbajë mend gjithë jetën”. Më tutje, meqë Goma nuk vinte mend, ai do ta urdhërojë ta përzënë në Francë (ku ai vazhdoi të kritikonte Çauseskun me të njëjtin pasion).
Dua të besoj se poeti Havzi Nela nuk do refuzonte një ndëshkim të tillë përballë alternativës tjetër, varjes në litar në mes të qytetit. Flas për të dhe jo për të tjerët, sepse diku në një vjershë të tij ai është i vetmi që përmend Kartën e Helsinkit, por pa bërë asnjë aluzion tjetër. Por, kaq mjaftonte për të merituar varjen.
Një rast tjetër, që Çausesku ka dhënë urdhër të rrihet, por duke nënvizuar që të mos vritet, është ai i disidentes rumune Monika Lovinesku, që jetonte në Paris dhe shprehte opinionet e saj në Radio Evropa e Lirë. Për një gjë të tillë u ngarkuan agjentë të shërbimeve palestineze që Yasser Arafati i vinte në shërbim të agjenturave rumune, me qëllim që të mos binte në sy se cili ishte komanduesi i vërtetë i këtyre akteve të ulëta (përfundimisht, meqë ajo ulëriti qentë e Arafatit, ia mbathën nga frika e fqinjëve, pa i thyer “nofullën¨ dhe “gishtat”, siç ishte porosia).
Disidentëve që ishin jashtë Rumanisë ai u bënte presion të mbyllnin gojën edhe duke i kërcënuar se nuk do t’u jepte viza daljeje familjarëve të tyre të bashkoheshin me ta. Por, kur një inxhinier dhe agjent i shërbimeve të tij sekrete (Costantin Rauta), dezertoi në Amerikë (ku ishte me detyrë) dhe prej aty denoncoi kultin e tij të individit, Çausesku mbeti keq para presionit të Qeverisë amerikane, për të lejuar gruan e tij të shkonte edhe ajo në Amerikë. Atëherë ai dha urdhër të “m’i gjeni një mashkull të mirë asaj gruaje, që vetëm me forcën e k… ta bindë të qëndrojë këtu e të mos shkojë te i shoqi!” Nuk e di nëse mashkulli që i gjetën kishte aftësi të tilla aq bindëse, por di që urdhri i mësipërm u dha shprehimisht nga presidenti rumun.
Duke kërkuar të mësoj arsyen e këmbënguljes së tij për të rrahur, por për të mos vrarë, gjeta një shpjegim të Pacepas në faqen 125 të librit në fjalë. Sipas tij, pak kohë pasi Çausesku erdhi në pushtet (1965), kryeministri i asaj kohe Ion G. Maurer, specialist i njohur i të Drejtës Ndërkombëtare, kërkoi një takim me të dhe i tha:
– Nik, si udhëheqës suprem i Rumanisë, ju mund të bëni çfarë të doni, për të mirë a për të keq. Me përjashtim të një gjëje: mos jep urdhër për të vrarë. Quhet krim, pavarësisht se nga cili është urdhëruar nga një mbret apo lypës.
Kur letrat anonime me sharje ndaj regjimit nisën të vërshonin gjithandej jashtë vendit (se për ata që shanin brenda nuk merakosej shumë), ai dha urdhër t’u kërkohej të gjithëve të dorëzonin nga një mostër me shkrimin e makinave të përdorimit personal, për ta identifikuar kollaj “armikun”. Por, me këtë rast, këshilltarët e tij do ta kundërshtonin duke i thënë se këtë mund ta bënin për makinat shtetërore të shkrimit, por jo për ato private.
– Pse, ia bën i habitur Çausesku.
– Sepse nuk na lejon Kushtetuta.
– Kushtetuta na ka bërë ne apo ne Kushtetutën, pyet ai i pakënaqur.
Një pyetje e tillë Pacepas i kujton një episod me Nikita Khrushchevin. Kur ky dha urdhër që trafikantët e tregut të zi të dënoheshin deri me pushkatim, prokurori i Përgjithshëm i thotë se këtë nuk e lejon ligji. Dhe, me këtë rast Khrushchevi bën pyetjen e tij të famshme:
– Kush komandon këtu, ne apo ligji?
Duke e përligjur në mënyrën e tij, Çausesku kërkon përgjimin telefonik të të gjithë popullsisë. Për këtë ai urdhëron ndërrimin e të gjithë telefonave të vjetër me një model të ri të prodhuar nga shërbimet sekrete. Dhe, me atë rast, ditën e përurimit të qendrës së re të përgjimit (versioni rumun i Shtëpisë së gjetheve) mban një fjalim të shkurtër ku thotë se nëse imperializmi amerikan është jo popullor në vendin e tij, kjo ndodh sepse udhëheqësit e vendit nuk e dinë se çfarë mendon e kërkon populli amerikan. Tani, ne me këtë teknologjinë tonë te re, do të kemi sondazhe të menjëhershme të opinioneve dhe dëshirave të popullsisë. Ja pra, vazhdon ai, si arrin komunizmi të vërë shkencën në shërbim të njerëzimit.
Më këtë rast, për të provuar si funksionin rrjeti i ri i përgjimit, ai urdhëron të bëhet një provë. Një gjeneral i ngarkuar me këtë punë zgjedh rastësisht një numër telefoni dhe i bie.
– Teatri kombëtar?- pyet me kast gjenerali i shërbimit
– Jo gabim, përgjigjet qytetari.
Të dy ulin telefonin, por sistemi është programuar që të vazhdojë regjistrimin. Një çast më pas dëgjohet gruaja e qytetarit që pyet se cili ishte në telefon?
Qytetari:
– Një trap që kishte ngatërruar numrin. Tani më lërë rehat të dëgjoj Radio Evropën e Lirë (stacion radiofonik amerikan, që me shumë vështirësi dëgjohej edhe në Tiranë). Po flet për udhëtimin në Amerikë të diktatorit tonë dhe të asaj rrospies së tij …
Tamam atë çast gjenerali ndërpret regjistrimin, por përderisa e ka dëgjuar Pacepa, që e riprodhon, pa dyshim që e kanë dëgjuar edhe të gjithë ata që ishin të pranishëm aty. Por, me sa duket bëjnë sikur nuk e dëgjuan dhe shefi merr urdhër të shtyp një buton tjetër, për të përgjuar edhe një tjetër telefon të zgjedhur po aq rastësisht. Këtë herë dëgjohen ofshamat e britmat e një çifti që po bënte dashuri.
– Këta të m’i arrestoni, thotë këtë herë Elena Çausesku, në ora njëmbëdhjetë, njerëzit duhet të jenë duke punuar dhe jo duke bërë dashuri…
Nganjëherë mikrofonat e vendosur në dhomat e ndryshme të hoteleve kapin gjëra të çuditshme. Në një rast të tillë, gjatë një vizite të Arafatit në Bukuresht, një koleg i shërbimeve paralele i jep Pacepas një kufje ta vënë në veshë. Ai i dëgjon ca britma që pothuaj “i çanë timpanin”: Fedayni (pseudonimi i Arafatit) ulërinte si tigër dhe “i dashuri i tij (një pjesëtar i truprojës) klithte si hienë”.
Një nga detyrat që Caushesku u kishte vënë shërbimeve të tij të diplomatikë dhe të spiunazhit ishte realizimi i një platforme të me emrin e koduar Horizont, që kishte për qëllimi t’i shpjegonte botës ndryshimin midis Rumanisë dhe vendeve të tjera të Bllokut të Lindjes, se ajo është e distancuar edhe nga vetë Moska, se është një ishull latin në zemër të vendeve sllave. E vërteta është se ai ka një urrejtje të madhe për udhëheqjen sovjetike e veçanërisht për Leonid Brezhnevin i cili kur ishte Sekretar politik në Moldavi, kishte internuar me miliona qytetarë rumunë në Siberi dhe kishte sjellë aty qytetarë sllavë të pjesëve të tjera të perandorisë ruse.
Me spiunët e tij Çausesku u është afruar edhe rretheve më të afërta të udhëheqësve evropianë dhe punon të bëjë një gjë të tillë edhe në Shtëpinë e Bardhë. Pasi ka marrë informacion se presidenti Carter konsultohet dhe dëgjon shumë pastorin e tij, Çausesku jep porosi që njerëzit të rekrutojnë dhe bindin priftin në fjalë t’i flasë mirë presidentit amerikan për Rumaninë. Më tej ai do të urdhërojë njerëzit e tij të afrohen dhe rekrutojnë edhe vetë Bill Carterin, vëllain e presidentit.
Me mijëra e mijëra agjentë sekretë lobojnë në çdo cep të globit për t’i hapur fushëveprimi marrëdhënieve me Rumaninë në të gjitha nivelet. Selitë diplomatike presin e përcjellin përfaqësuesit e kompanive më të famshme të botës, agjentët e tij jenë të pranishëm në qendrat më të ndjeshme të teknologjisë botërore.
Një kohë të gjatë ai ka pretendime të fitojë edhe çmimin Nobel për Paqe, për punën vërtet kolosale që ka bërë për të ulur në një tavolinë të përbashkët Arafatin e OÇP-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës) dhe Menachem Beginin (kryeministrin e Izraelit), me të cilët ai kishte marrëdhënie të mira miqësore dhe bashkëpunimi dhe i takonte shpesh. Fatkeqësia e tij ishte se ndërkohë në këtë proces ndërhyri edhe Henry Kissinger, te i cili shkoi edhe çmimi në fjalë.
Pjesa më e madhe e këtij libri i kushtohet veprimtarisë krejt të pabesueshme, por mjaft të suksesshme të vjedhjes së teknologjisë perëndimore dhe vënies së saj në shërbim të ushtrisë apo industrisë së Rumanisë. Një veprimtari e tillë shkon që nga rrëmbimi i tankeve të sofistikuar izraelitë (me ndihmën e njerëzve të Arafatit, në shtabin e të cilit ai kishte edhe spiunët e tij), të cilët i transportonte nëpërmjet kamionëve të shoqërisë TIR, shoferët rumunë të të cilës ishin të gjithë oficerë të DIE-s – shërbimit të tij sekret – e deri te infiltrimi dhe rekrutimi i personelit teknik në uzinat e armatimit në vendet perëndimore.
Larg interesit nuk mbetej asgjë nga sekretet e prodhimit të djathit dhe parfumeve franceze e deri te reaktorët e centraleve bërthamore.
Ai nuk kishte asnjë paragjykim dhe shpesh thoshte se shpikjet shkencore janë krijim i shkencës dhe intelektualëve (jo i kapitalistëve, pra) dhe si të tilla i përkasin dhe duhet të përmirësojnë jetën e proletariatit botëror. Vjedhja ishte jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë.
Këtë sektor të spiunazhit industrial ai e drejtonte vetë dhe shihet qartë se aspiratat e tij teknologjike nuk mbeteshin në nivele të natyrës “patatja është edhe bukë edhe gjellë”.
Teknologjia mediko-farmaceutike, me të cilën merrej kryesisht e shoqja, u ngrit dhe modernizua nga e para në saje të teknologjisë së vjedhur në Amerikë, Gjermani, Francë dhe Itali. Zhvillime impresionuese pati edhe industria metalurgjike, prodhimi i çeliqeve speciale, aliazheve etj. Kur u ftua në Angli, ai kërkoi të vizitojë uzinat e Rolls-Royce-it dhe në pamundësi për të vjedhur teknologjinë e prodhimit të motorëve të famshëm; kërkon të blejë patentën e tyre, me qëllim që pastaj t’i përdorë edhe për motorët e tij të avionëve ushtarakë.
Një operacion tjetër sekret ishte ai kur agjencia e tij e zbulimit mësoi se Kanadaja po prodhonte një reaktor atomik që funksiononte me uranium natyror (dhe jo të pasuruar, që e kishin vetëm Amerika, Rusia, Franca dhe Anglia), i cili gjendej me shumicë në Rumani. Për këtë u rekrutuan një brez i ri inxhinierësh rumunë të specialitetit bërthamor, që u nisën me identitete të rreme në Perëndim. Në pak kohë ata infiltruan gjithë ç’kishte më të mirë dhe më sekrete industria e Kanadasë, ajo e Amerikës (“General Electric of Canada”, “Combustion Engineering of Ottawa”, “General Electric” dhe “Combustion Engineering” në ShBA, “Siemens” dhe “AEG”, “ITT” dhe “Kraftwerke” në Gjermaninë Perëndimore, “Ansaldo Nucleari Impianti” në Itali etj.) dhe nisën drejt Rumanisë të dhëna të çmuara.
Mikroelektronika dhe informatika ishte një nga fushat më të parapëlqyera të Çauseskut. Fatkeqësisht nuk dimë se çfarë interesi kishte Enver Hoxha për të. Gjithsesi, nga një “burim i brendshëm” këtu e 40 vjet më parë kam dëgjuar se një herë kur (për çudi) Lenka Çuko i thotë Hoxhës se kompjuterët mund të ndihmonin shumë në punën e institucioneve tona, ai e pa me ironi dhe i tha: atyre mut t’u japësh ato mut nxjerrin.
Në thelb nuk e ka keq, ky është parimi bazë, por ai mut që del është tashmë i paketuar, etiketuar, seleksionuar etj. Dhe kjo bën diferencën dhe kursen kohë dhe energji. Por, në këto fusha, Shqipëria më pas do të kënaqej më ndonjë grup pajisjesh arkeologjike të dhuruara ndonjë institucion ndërkombëtar.
Ndërkohë, tamam ndërkohë, Çausesku ishte i pari udhëheqës komunist që këmbënguli dhe arriti të vizitojë uzinën “Texas Instruments” në Dallas, ku në fjalimin e rastit siguroi autoritetet se Rumania është kundër luftës dhe se është e interesuar vetëm për paqe. Dhe, pastaj u kujdes të pyesë Pacepan nëse pala amerikanë u bind për fjalët e tij. Kishte arsye për një gjë të tillë sepse agjentët e tij më të mirë punonin për të vjedhur sekret e teknologjisë ushtarake në “Texas Instruments”.
Dhe, në pak kohë, qarqet e integruara për të cilat ajo korporatë kishte investuar aq shumë, nisën të prodhohen në sasi industriale nga uzinat rumune …
Të zgjedhësh midis këtyre dy diktatorëve është si të zgjedhësh midis kolerës e të vdesësh nga shpërthimi i diarresë dhe i të vjellave dhe murtajës, nëse për ndonjë arsye personale parapëlqen të vdesësh nga ethet bubonike dhe lungat e ganglioneve limfatike që mbushen me ujë e qelb.
Në rastin e Rumanisë (edhe pse Çausesku liroi menjëherë të burgosurit politikë sapo mori pushtetin nga Gheorghe Gheorghiu-Dej), ndjen sëkëlldi të jesh nënshtetas i një vendi, presidentit të të cilit i ngjit dora në çdo gjë që prek, vjedh fare pa iu skuqur surrati, madje është krenar për atë që bën, por duke njohur në një farë mase edhe vendin ku linda, duke parë se si ajatollahu Enver Hoxha tërbohej dhe nxirrte fatva e llavë nga goja për një nuancë të së kuqes në tablonë e një piktori dhe e përplaste atë në burg, varte poetët dhe dënonte artistët për tekstin e një kënge që fliste për erën e limonit, ndërkohë që në radiot e huaja ne dëgjonim koncertin që grupi The Beatles jepnin në Bukuresht (jam i sigurt që Çausesku i ka ftuar jo se e kuptonte muzikën e tyre, por sepse donte për Rumaninë çdo gjë që bënte emër në botë, si puna e teknologjive moderne), kam arsye të dyshoj shumë se Shqipëria ka qenë një vend komunist si gjithë të tjerët. /Peizazhe të fjalës/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme