Komuna e Vitisë të mërkurën Ditë Zie pas humbjes tragjike të tre të rinjve
Komuna e Vitisë ka shpallur të mërkurën, më 11 qershor 2025, Ditë Zie në nderim të tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht gjatë këtyre ditëve.
Në njoftimin zyrtar të komunës thuhet se gjatë kësaj dite flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet komunale, ndërsa do të pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore, sportive dhe festive.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke e cilësuar këtë humbje si një dhimbje të madhe për gjithë komunën.
“Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftoj se këto ditë, komuna jonë është tronditur nga tri humbje të mëdha. Brenda vetëm tre ditësh, kemi humbur tre të rinj vitias – bij e bija të kësaj toke, që u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike”, tha Haliti.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen kësaj dite zie për të nderuar kujtimin e të rinjve dhe për të shprehur solidaritet me familjet e tyre.
“Gjatë kësaj dite, institucionet dhe qytetarët do të nderojnë kujtimin e të rinjve tanë me heshtje dhe respekt të thellë”, thuhet në njoftim.
Haliti shtoi se dhimbja për këtë humbje është e papërshkrueshme, ndërsa i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimav.
“Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij”, shkroi Haliti.






























