Komuna e Prizrenit synon përforcimin e zhvillimit lokal

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari Shaqir Totaj, të mërkurën, ka takuar përfaqësuesit e operatorit ekonomik INSI, në kuadër të cilit është bërë pranim-dorëzimi i Planit Rregullues të Hollësishëm për Parkun e Industrisë së Lehtë (Parkun e Biznesit).
Ky Plan i miratuar disa javë më parë nga Kuvendi i Komunës, rishtazi ka kaluar edhe filtrin e ligjshmërisë nga niveli qendror dhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi nga java e shkuar.
Plani Rregullues për Parkun e Biznesit sipas zyrtarëve të Prizrenit ka kaluar filtrin e ligjshmërisë

“Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot përfaqësuesit e operatorit ekonomik INSI, me ç’rast u bë pranimi dhe dorëzimi i Planit Rregullues të Hollësishëm për Parkun e Industrisë së Lehtë (Parkun e Biznesit)”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se gjatë takimit, është diskutuar edhe për Planin Zhvillimor Komunal, i cili është në proces të hartimit.
“Kryetari Totaj theksoi rëndësinë e rritjes së angazhimeve për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës së planifikimit. Ai vlerësoi se bashkëpunimi mes institucioneve dhe akterëve të përfshirë është kyç për të sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset në Komunën e Prizrenit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/








































