Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër (e mërkurë) disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të jenë të mbyllura përkohësisht, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.
Zonat që do të preken nga bllokimi janë:


• Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti).

• Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Toëer).

• Hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit).

Automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto segmente.

“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situates”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar për vendtakimin e Këshillit Organizativ të protestës së nesërme e cila do të nis nga ora 10:00.

Sipas OEK-ut, vendtakimi me përfaqësuesit e mediave do të jetë tek një pikë karburanti afër rreth-rrotullimit me flamur, në hyrje të Prishtinës.

“Ju njoftojmë se më 29 maj 2025, në orën 10:00, do të mbahet protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë, një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/