Komuna e Pejës ka bërë publike Listën e bursistëve përfitues për vitin 2025, në kuadër të mbështetjes financiare për studentët e dalluar dhe ata në nevojë sociale që vijojnë studimet universitare.

Sipas njoftimit zyrtar, lista përfshin 60 studentë përfitues, të cilët studiojnë në fusha të ndryshme akademike, me theks të veçantë në Mjekësinë e Përgjithshme, Matematikë dhe Fizikë, në universitete brenda dhe jashtë vendit.


Çdo bursist përfiton një mbështetje financiare në vlerë prej 500 euro, ndërsa shuma totale e ndarë për këtë program arrin në 30,000 euro.

Komuna thekson se përzgjedhja e përfituesve është bërë në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në thirrjen publike, duke u bazuar në suksesin akademik dhe dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesit.

Po ashtu, në njoftim sqarohet se aplikuesit që nuk janë përfshirë në listën përfundimtare për vitin 2025 do të trajtohen për përfitim në vitin 2026, në varësi të mjeteve të ndara nga buxheti i atij viti.

Ky program i bursave përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm të Komunës së Pejës për të mbështetur arsimin e lartë dhe për të investuar në zhvillimin profesional të të rinjve. /Telegrafi/