Në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës është mbajtur konsultimi publik për Projekt-Buxhetin e Komunës së Pejës për vitet 2026–2028, i organizuar nga Kuvendi Komunal, Drejtoria për Buxhet dhe Financa dhe Zyra për Informim Publik. Konsultimi u udhëhoq nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rexhep Kurtbogaj.

Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Diellëza Berisha, prezantoi ndarjen e buxhetit për vitin 2026, me një shumë totale prej 41,953,838 euro, të shpërndarë në këto kategori:


  • Paga dhe meditje: 21,096,340.38 euro;
  • Mallra dhe shërbime: 5,451,940.00 euro;
  • Shpenzime komunale: 1,107,240.00 euro;
  • Subvencione dhe transfere: 1,360,000.00 euro (+10 për qind krahasuar me vitin paraprak);
  • Shpenzime kapitale: 12,938,317.62 euro.

Berisha bëri të ditur se në projekt-buxhet janë përfshirë edhe disa nga kërkesat e qytetarëve të parashtruara gjatë dëgjimeve buxhetore në qytet dhe në fshatra, ndërsa kërkesat shtesë të banorëve të prezantuara në këtë konsultim do të shqyrtohen për përfshirje në versionin final të buxhetit, para miratimit në Kuvendin Komunal. /Telegrafi/