Komuna e Junikut, në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizoi punëtorinë me temën “Avancimi i proceseve transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme të buxhetit komunal”.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2026 dhe synoi përfshirjen aktive të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe bizneseve lokale në diskutimin e prioriteteve buxhetore.


Pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me zhvillimin e turizmit, bujqësisë, mbështetjen për të rinjtë, gratë dhe sektorin privat në komunë.

Punëtorinë e hapi Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në vendimmarrje, si parim themelor i qeverisjes së mirë lokale.

Përfaqësuesit e komunës u angazhuan të shqyrtojnë propozimet dhe rekomandimet e paraqitura, me qëllim që ato të reflektohen në versionin përfundimtar të buxhetit për vitin e ardhshëm.

Ky aktivitet përbën një hap konkret drejt forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes në proceset vendimmarrëse komunale.