Komuna e Gjilanit rifunksionalizon tri dhoma për edukim të hershëm në Livoç të Epërm

Komuna e Gjilanit njofton se ka janë rifunksionalizuar 3 dhoma për edukimin e hershëm në shkollën “Vatra e Diturisë” në Livoç të Epërm
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se tashmë 60 fëmijë të moshës 3-6 vjeç kanë hapësirën e tyre për të mësuar, luajtur dhe ëndërruar.
I pari i Gjilanit, theksoi se është kënaqësi t’i shohësh dhe t’i dëgjosh vetë fëmijët teksa shijojnë momentet e para në ambientin e ri, sepse sipas tij, secili prej tyre meriton një fillim të mbarë.
Ndërsa, drejtori i Arsimit Shpend Nuhiu, tha se janë të lumtur për hapjen e tri dhomave të reja për edukim të hershëm në ShFMU “Vatra e Diturisë” në Livoç të Epërm.
“Këto ambiente moderne, të pajisura me inventar të përshtatshëm dhe materiale didaktike për fëmijët e moshës 3-6 vjeç, janë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fëmijët e këtij fshati dhe nxitjes së zhvillimit të hershëm edukativ”, tha Nuhiu.
Drejtori i Arsimit, theksoi se ky projekt e kthen këtë ditë në një moment të veçantë për arsimin në komunën tonë. /Telegrafi/


















































