Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se po merr masa për trajtimin e dëmtimeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në rrugët regjionale.

Sipas njoftimit, çështja është adresuar si kërkesë emergjente tek Departamenti i Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.


“Problemi i dëmtimeve në rrugët regjionale është trajtuar zyrtarisht dhe kemi bashkëpunuar ngushtë me Stacionin Policor në Drenas. Kërkesa është shoqëruar me raportime dhe fotografi nga terreni, të cilat pasqyrojnë gjendjen aktuale dhe rrezikun për sigurinë në komunikacion”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur gjithashtu se po ndjek nga afër të gjitha zhvillimet dhe do të vazhdojë koordinimin me institucionet përgjegjëse për të siguruar ndërhyrje të shpejtë dhe qarkullim të rregullt për qytetarët.

“Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me institucionet përgjegjëse me qëllim që qarkullimi i qytetarëve të jetë sa më i sigurt dhe i pandërprerë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, u shprehën nga Komuna e Drenasit. /Telegrafi/