Në Sallën e Kulturës në Drenas, janë nënshkruar kontratat për ndarjen e 200 bursave komunale për studentët përfitues për vitin akademik 2025/2026. Bursat financohen nga buxheti i Komunës së Drenasit dhe synojnë të mbështesin studentët në përballimin e shpenzimeve gjatë studimeve.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, i cili uroi studentët dhe nënshkroi zyrtarisht kontratat. Ai tha se ndihet krenar për numrin e madh të të rinjve që vazhdojnë shkollimin dhe tregojnë përkushtim në zhvillimin e tyre profesional.


“Rritja e të rinjve në fushën e arsimit është arritje jo vetëm personale, por edhe e familjeve dhe e komunës sonë. Përkushtimi juaj është motivi ynë që çdo vit të zgjerojmë mbështetjen për studentët”, deklaroi Lladrovci.

Ai përgëzoi të gjithë përfituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe theksoi se Komuna e Drenasit do të vazhdojë mbështetjen për studentët edhe në vitet e ardhshme.

“Kemi rritur numrin e bursave sipas mundësive buxhetore dhe do të vazhdojmë këtë traditë që t’ua lehtësojmë barrën studentëve dhe familjeve të tyre në rrugën e studimeve”, shtoi Lladrovci.

Me këtë iniciativë, Komuna e Drenasit riafirmon angazhimin e saj për investim në arsim, përkrahjen e të rinjve dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për komunitetin. /Telegrafi/