Komisioni për Legjislacion hap konkursin për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka miratuar disa pika të rendit të ditës, përfshirë hapjen e konkursit për tre anëtarë të Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe caktimin e një anëtari në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik, raporton KosovaPress.
Në këtë mbledhje, me propozim të deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, në rend dite është futur edhe pika për shpalljen e konkursit për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Gjyqësor.
“Në vijimësi të disa vakancave institucionale si pasojë e mungesës së konsituimit të mirëfilltë atëherë institucional në zgjedhjet e vitit 2025, kemi një kërkesë e cila është deponuar në maj të vitit 2025, për shpalljen e konkursit për plotësimin e një vendi vakant si pasojë e dorëheqjes së një kandidati të mëhershëm që ka ushtruar funksionin në Këshillin Gjyqësor. Kërkoj që të futet pika e rendit të ditës, shpallja e konkursit për një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës...Por, nëse janë tri vakancë atëherë mund të shkojmë të trijat me shpall”, ka thënë Qorrolli.
Komisioni miratoi hapjen e konkursit për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, një nga komuniteti shqiptar dhe dy nga radhët e komunitetit serb.
Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe Planin e Punës për sesionin pranveror (mars-korrik), i cili përfshin monitorimin e zbatimit të ligjeve.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri propozoi tri shtesa në planin e punës, përfshirë vlerësimin e punës së Gjykata Komerciale dhe Gjykata Administrative, të themeluara në mandatin e kaluar.
Ai tha se është e nevojshme të vlerësohet efikasiteti i këtyre gjykatave dhe nëse ka pasur rezultat themelimi i tyre.
“Unë kam për të shtuar tre pika. E para, Blerta, unë, Artani dhe Adnani kemi qenë në komisionin për legjislacion në mandatin e kaluar, në atë kohë janë themeluar dyat, edhe gjykata komerciale dhe administrative. Kërkoj që si pikë e rendit të ditës në planin e punës tonë të bëhet një vlerësim i punës tyre, për shkak se në atë kohë si logjikë kur kemi diskutuar në komision, logjika për Gjykatën Komerciale ka qenë sa më shumë më mujt me e centralizua sistemin që me mundur me trajtua në atë kohë lëndë të cilat kanë qenë diskutabile në mes gjykatave dhe sektorit privat. Pastaj tek Gjykata Administrative është lidh shumë me punën civile, dhe në atë kohë kemi pas mbështetje edhe prej një programi të Ambasadës Amerikane. Mirëpo nuk dimë se si kanë shkuar punët deri tash. Duhet me pa cili ka qenë efikasiteti, a ja ka vlejtur që kemi themeluar”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, duhet të vazhdohet edhe praktika e organizimit të një punëtorie të përbashkët me Komisionin për Legjislacion në Parlamentin e Shqipërisë, me qëllim shkëmbimin e përvojave në reformat në drejtësi.
Ndërsa ka theksuar edhe ligjin për deputet.
“Çështja e dytë, ne në fillim të vitit, zakonisht me komisionin përkatës në Shqipëri kemi pas një punëtori, një tryezë ku e kemi diskutuar përvojën e tyre, ata janë pak përpara neve në reformat në drejtësi. Ka diçka që ndërlidhet ngushtë edh me planin e punë së qeverisë, dhe propozoj që të vazhdojmë, zakonisht në pranverë ne shkojmë në Tiranë, më pas në pjesën e tretë apo katërt të vitit ata vinë tek ne. Pra, një punëtori të përbashkët me komisionin për legjislacion në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Dhe pika e tretë, ka të bëjë me vet ligjin për deputet, mendoj se ne duhet me marr përsipër këtë çështje”, ka shtuar Tahiri.
Lidhur me këtë çështje, deputeti Adnan Rrustemi tha se do të ishte më e përshtatshme që monitorimi të bëhet në sesionin vjeshtor, duke e cilësuar si veprim të parakohshëm shqyrtimin në këtë fazë.
“Bindja ime është që kish qenë më mirë në sesionin vjeshtor të monitorojmë. Jam plotësisht dakord, por pak veprim i parakohshëm”, ka thënë Rrustemi.
Kryetari i komisionit, Përparim Gruda, theksoi se Gjykata Administrative ende nuk është funksionalizuar plotësisht, duke propozuar që në këtë sesion të monitorohet Gjykata Komerciale, ndërsa në sesionin vjeshtor të përfshihet Gjykata Administrative.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit u pajtuan që kjo pikë të shtyhet për një mbledhje tjetër.
Ndërkaq, në pikën për caktimin e një anëtari në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë, Qorrolli, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi deputeten Arjeta Rexhepi.
Propozimi u miratua unanimisht nga anëtarët e komisionit. /Kp/















































