LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Buxhet i përgjigjet Kushtetueses për rrymën në veri, kundërshton opozita

Komisioni për Buxhet i përgjigjet Kushtetueses për rrymën në veri, kundërshton opozita

Ani se pati kritika nga deputetët e opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash vendosi t’i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese për rekomandimin e kuvendin lidhur me pagesën e 11 milionë euro nga ana e KOSTT-it për rrymën në katër komunat veriore.

Anëtarja e këtij komisioni, Jeta Statovci e cila ka hartuar përgjigjen për Gjykatën Kushtetuese, tha se tri pyetje janë kërkuar nga Kushtetuesja, e para është nëse ky komision ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi në lidhje me autorizimet dhe rekomandimin e pagesës së humbjeve në veri.

Pyetja e dytë sipas Statovcit, është nëse ky komision ka qenë i obliguar të ofrojë një opinion të tillë, dhe e treta çka mendon ky komision në lidhje me letrën ose përgjigjen që ia ka kthyer KOSTT Gjykatës Kushtetuese.


Deputetja Jeta Statovci në përgjigjen e shkruar në raport me tri kërkesat dhe tri pyetjet e ngritura në këtë rast nga Gjykata Kushtetuese, thekson se iu ka referuar rregullores së Kuvendit.

“Përgjigjet trajtojnë tri aspektet e ngritura, fillimisht kanë të bëjnë nëse kjo çështje është dashur të trajtoj nga Komisioni për Buxhet. Andaj, në përgjigje iu kam referuar rregullores së Kuvendit ku thuhet që nuk përcaktohet se Komisioni Funksional merr mendim apo opinion nga komisionet tjera, kështu që në këtë rast Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere gjithashtu edhe ai mbikëqyrës i financave nuk kanë pasur në bazë të rregullores ndonjë obligim me dhënë opinione”, theksoi ajo.

Nënkryetari i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku nga PDK-ja, tha se përkundër që pagesa e rrymës në veri nga KOSTT është shkelje kushtetuese, ky komision nuk është korrekt t’i përgjigjet kushtetueses fare.

“Për këtë rast fatkeqësisht që ka të bëjë për pagesën e rrymës në veri, shihet qartë që nuk është proceduar në të gjitha Komisionet, dhe për mendimin tim, kjo tregon që ka një shkelje edhe Kushtetuese dhe të ligjit për menaxhimin e financave publike. Pavarësisht opinionit që mundet me i dhënë Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, unë si anëtar i komisionit do të paraqes një parashtresë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ju (pozita) i keni numrat, mundeni edhe me kaluar një vendim të tillë, por nuk është korrekte”, theksoi Lushtaku.

Edhe deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se si komision nuk duhet të japin vlerësim për KOSTT-in. Derisa tha se kuvendi ka bërë shkelje ligjore me rekomandimet e dhëna për ta paguar rrymën KOSTT-i.

“Te pyetja e tretë, unë nuk besoj që ne mundemi dhe as që duhet madje që ne të japim vlerësimin tonë si komision për përgjigjen që KOSTT-i, ia ka dhënë Gjykatës Kushtetuese. Kush jemi ne? Çfarë kompetencë kemi ne si komision që ne të vlerësojmë se a është me vend apo jo. Sugjerimi im është që përgjigja jona nga ana e komisionit të jetë shumë e thjesht: Komisioni nuk e ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, përpara se të shkoj në kuvend. Edhe në pyetjen e fundit, që ne nuk mund të japim vlerësim për përgjigjet e KOSTT-it drejtuar Kushtetueses…Kuvendi në fakt nuk ka marrë as vendim, ka dhënë një listë të rekomandimeve që ia ka dërguar KOSTT-it. Kur kuvendi është marrë me këtë çështje ka bërë edhe shkelje ligjore dhe këto shkelje nuk mund të fshehën pas vendimeve kolektive. Është shkel ligji për shoqërinë tregtare, nuk mundet Kuvendi me vendos për me ndarë mjete të KOSTT-it”, theksoi Hoti.

Ndaj këtyre deklaratave të Hotit ka reaguar deputeti nga VV-ja, Eman Rrahmani. Si rekomandim ai tha se nuk ka shkelje ligjore sepse siç u shpreh ai nuk ka detyrim.

“Deputeti Hoti ra në kundërthënie me vetveten. Në fillim theksuat që është rekomandim që ka dal prej Kuvendit, e më pastaj theksuat që Kuvendi ka vendosur për shpërndarje kundërligjshëm dividentë. Është e vërtet që ky ka qenë një rekomandim, dhe jo vendim. Si rekomandim nuk mundet me pasur fuqi ekzekutive dhe nuk mund të jetë as shkelje ligjore sepse nuk detyrohet”, theksoi Rrahmani.

Në replikën ndaj deputetit Rrahamni, Avdullah Hoti tha se atë që e ka bërë Qeveria Kurti, është për t’i ikur ballafaqimit me problemin politik në veri.

“Është mirë ta respektojmë njëri-tjetrin, disa deputetë në këtë komision luajnë rolin e komentimit dhe të deklarimeve të deputetëve të tjerë. Mbaj përgjegjësinë për atë që e them dhe jam plotësisht i vetëdijshëm për atë që po e them. Edhe në qeveritë e kaluara kanë ndarë mjete për pagesën e energjisë atje (në veri), për shkak se është një problem politik ende i pa zgjidhur. Atë që e ka bërë kjo qeveri, është munduar me kurthuar veten, edhe me i ikë ballafaqimit me problemin. Këtë që po ma thua ti deputet Rrahmani, po me konfirmon krejt atë që unë po mendoj lidhur me këtë çështje… Janë kuthuar institucionet, dhe tash çështja është në Gjykatën Kushtetuese dhe ky diskutim i këtij komisionin komplet i panevojshëm për një problem që është krijuar pa asnjë nevojë”, tha ai.

Po kështu, edhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, ka thënë se rekomandimet e Kuvendit kanë qenë ndërhyrje në kompetenca të qeverisë.

“Sa i përket kësaj çështje, mendoj që Komisioni për Buxhet nuk e ka trajtuar, kështu që ajo çfarë na është kërkuar mund t’i përgjigjemi vetëm se këtë çështje nuk e kemi trajtuar. Për pagesën e rrymës veri, kemi qenë kundër, kam qenë kundër, sepse dihet baza ekzekutive se kush e lejon KOSTT-in sa i përket dividentave për trajtim dhe shpenzim të atyre parave. Nuk është kuvendi ai që t’ia caktoj shumën se kush e sa duhet të paguaj. Kuvendi ka mundur qeverinë e Kosovës me obliguar me një amandemantim që ta paguaj këtë shumë, që asnjë herë nuk kam qenë pro. Ne si kuvend kemi hyrë aty ku nuk duhet, por është Gjykata Kushtetuese që do ta thotë fjalën e vet”, tha Lekaj.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja tha se deklarata e propozuar nga Statovci i përmbajnë të gjitha elementet e një përgjigje ndaj Kushtetueses.

“Elementi i tretë është po ashtu, të na ofroni komentet e juaja në lidhje me shkresën e KOSTT-it të datës 18 tetor 2021. Dhe në esencë se çka deklaroi deputetja Statovci dhe deputeti Hoti, nuk po shoh ndeshje sa I përket këtyre deklaratave. Pra, ajo çka po thuhet ka një dakordim, thjesht është bërë në bazën e Ligjit për energji dhe atij për shoqëritë tregtare dhe nuk kemi hyrë në çështje të tjera. Kjo deklaratë e propozuar nga deputetja Statovci i përmban të gjitha elementet e një përgjigje sa do që ne nuk mund të përgjigjemi në gjithçka. Sugjeroj që nëse ka edhe ndonjë deklaratë tjetër nga deputetët ta propozojmë dhe të njëjtat t’i hedhim në votim”, ka thënë Muja.

Ndryshe, PDK në muajin maj të këtij viti i kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese rekomandimet e nxjerra nga Kuvendi për kompensimin e rrymës së shpenzuar në veri në vlerë 11 milionë euro. /kp/