Eurodeputetët e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë miratuan disa rezoluta këtë të martë, përmes të cilave mbajtën shënime mbi progresin e bërë dhe detyrat që duhet të plotësohen në vijim për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi, në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian.
Në votimin për Kosovën, eurodeputetët mirëpritën legjislacionin e miratuar në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave, por shprehin shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimi i vazhdueshëm politik në Prishtinë, që vijon të ndikojë negativisht në rrugën e reformave të qëndrueshme.

Për ta afruar Kosovën më pranë BE-së, liberalizimi i vizave është jetik për Kosovën pa vonesa të mëtejshme. Europarlamentarët mirëpritën faktin që Komisioni Evropian konfirmoi se kërkesat për liberalizimin historik të vizave ishin përmbushur, raporton TCH.

Kjo vjen pavarësisht shqetësimeve kritike lidhur me gjyqësorin e nënfinancuar të Kosovës, korrupsionin e përhapur ngado, elementë të kapjes së shtetit dhe ndikimit të panevojshëm politik, të cilat duhet të adresohen të gjitha, përtej progresit të bërë për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave.


Rezoluta u miratua me 42 vota pro, 10 kundër dhe 6 abstenime, ndërsa mban shënim gjithashtu se 5 vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën të pavarur, ndaj dhe u bën thirrje atyre ta bëjnë një gjë të tillë, pasi në këtë mënyrë do të lehtësoheshin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë fqinje.

Pas votimit në Komision, rezolutat pritet të shtrohen në tryezë për votim në seancën plenare të nëntorit në Bruksel.