Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar sot kampanjën #GoldenEuropeans (Evropianët e artë) me të cilën do të rrugëtojë ekipi ynë olimpik drejt Lojërave Olimpike Paris 2024.

Prezantimi u bë pikërisht kur kanë mbetur edhe 50 ditë deri në ceremoninë hapëse të LO Paris 2024.


Udhëheqësi i Departamentit për Media në KOK, Kushtrim Krasniqi, deklaroi se deri tek përzgjedhja e këtij slogani kanë ardhur duke u frymëzuar nga historia e suksesshme e ekipit tonë olimpik në LO Rio 2016 dhe Tokio 2020, ku u fituan tri medalje, të tria të arta dhe të tria nga sporti i xhudos, për çka kërkoi nga mediat dhe përkrahësit tjerë të ekipit ta përdorin këtë slogan në shenjë mbështetje për sportistët tanë.

Krasniqi prezantoi edhe të gjitha përgatitjet që po bënë KOK-u, deri në nisjen e këtij edicioni të Lojërave Olimpike, si lansimi për herë të parë i Kuizit Olimpik, brendit 4F me të cilin do të vishet ekipin olimpik, përgatitjet për videon promovuese, Festivalin Olimpik, matjen dhe monitorimin medial etj.

kok 1

Kuizi Olimpik do të bëhet në bashkëpunim me RTK-në, e cila njëkohësisht do të bëjë edhe transmetimin e Lojërave Olimpike Paris 2024, derisa do të bashkëpunojë me KOK-un edhe për Festivalin Olimpik.

Në lidhje me këtë foli Artan Muhaxhiri, udhëheqës i programit të sportit në RTK, i cili dha detaje për mënyrën se si do të realizohet Kuizi Olimpik, përmes të cilit KOK-u do të promovojë vlerat olimpike, ndërsa foli edhe transmetimin maratonik që Televizioni Publik do të bëjë me rastin e LO Paris 2024, ku në fokus do të jetë ekipi ynë.

kok 2

Partner tjetër i kuizit olimpik është BKT Kosova, e cila për vendin e parë do të ndajë shumën në vlerë 1 mijë euro.

Kosova deri më tani ka gjashtë norma olimpike, pesë nga sporti i xhudos dhe një nga boksi, kurse lista përfundimtare do të zbulohet në fund të muajit qershor, kur pritet të kompletohet me ftesat e univerzalitetit, të rezervuar për sportet e notit dhe atletikës.

telegrafi sport app