Koci paralajmëron veprim simbolik: Me ua mbyll derën deputetëve – s’ka me dalë jashtë pa një zgjidhje

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër ndaj krizës së thelluar politike në vend, duke paralajmëruar një veprim simbolik para Kuvendit të Kosovës të enjten në mëngjes.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka shprehur zhgënjimin e tij me bllokadën institucionale që, sipas tij, po zgjat përtej çdo kufiri të durueshëm qytetar.
Ai ka njoftuar se të enjten, në ora 10:45, do të qëndrojë para hyrjes së Kuvendit dhe do ta mbyllë atë simbolikisht me një fjongë, në shenjë proteste ndaj mungesës së zgjidhjes politike.
“Nuk ka dalje prej Kuvendit, pa zgjidhje politike,” ka shkruar ai, duke shtuar se deputetët do të futen në Kuvend për herë të 27-të, pa ndonjë përparim konkret.
Sipas Kocit, një tjetër seancë pa marrëveshje nuk është më thjesht krizë politike, por “lojë me durimin e njerëzve”.
Ai thekson se ky veprim simbolik synon të përcjellë një mesazh të qartë: politika nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë, pa pasoja morale dhe qytetare.
Megjithatë, Koci e ka kushtëzuar daljen e tij me përkrahje publike, duke thënë se do të ndërmarrë këtë veprim vetëm nëse postimi i tij në Facebook merr të paktën 3,000 pëlqime ose reagime pozitive.
“Pa përkrahje të vërtetë – nuk ka as veprim”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, Koci ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe ka kërkuar nga mediat që ta përcjellin dhe përkrahin këtë iniciativë.
“Ky veprim simbolik – është sigurt më shumë se heshtja. Sa prej jush kishit me dalë nesër? Bëjeni share ju lutëm. Boll është boll!”, përfundon postimi i tij.
Kriza politike në vend ka hyrë në muajin e tretë, me partitë që ende nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare./Telegrafi/

















































