Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut - KMDLNJ ka mirëpritur marrëveshjen midis Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes "Pastrimi".

Në reagimin e tyre thuhet se pas një mosmarrëveshjeje midis komunës së Prishtinës dhe kompanisë " Pastrimi ", në mungesë të kapaciteteve për largimin e mbeturinave qyteti i Prishtinës u mbulua me mbeturina duke krijuar kushte për përhapjen e një epidemie dhe duke e shtuar numrin e qenve endacakë që , në kërkim të ushqimit u bënë agresivë duke sulmuar qytetarët.


"KMDLNj - ë , edhe në takim me zyrtarët e komunës kërkuan që të arrihet një marrëveshje në mënyrë që komuna të shlyej detyrimet ndaj " Pastrimit " kurse kompania të shlyej detyrimet ndaj qytetarëve. Më në fund u arrit një marrëveshje e rezultat i menjëhershëm është se kryeqyteti duket shumë më mirë dhe më i pastër. KMDLNj - ë ka kërkuar dhe kërkon nga qytetarët e Prishtinës të paguajnë me rregull faturat dhe t'i shlyejnë borxhet e grumbulluara qoftë përmes pagimit të faturave, qoftë duke nënshkruar një zotim - marrëveshje për riprogramimin e borxhit të përgjithshëm", thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, thuhet se  KMDLNj  pret dhe shpreson se palët nënshkruese të marrëveshjes do t'iu përmbahen detyrimeve që dalin nga marrëveshja.

"Sa më i lartë të jetë shlyerja e borxheve nga konsumatorët kompania " Pastrimi " do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime më cilësore dhe anasjelltas. Për konsumatorët pagimi i faturave është detyrim ligjor dhe moral aq më parë që shërbimet e kompanisë " Pastrimi " janë të përballueshme", vijon njoftimi./Telegrafi/