Klubi i kushton vëmendje të veçantë Vedat Muriqit: Nga Mallorca deri në Prishtinë, rrugëtimi i Piratit

Skuadra spanjolle RCD Mallorca ka vazhduar t’i kushtojë vëmendje të veçantë sulmuesit të saj kryesor, Vedat Muriqi, duke publikuar një tjetër material emocional për rrugëtimin e tij me Kosovën.
Pas udhëtimit në Bratislavë për të ndjekur nga afër ndeshjen gjysmëfinale ndaj Sllovakisë, gazetari i klubit spanjoll ishte i pranishëm edhe në Prishtinë për finalen e play-offit kundër Turqisë.
“Nga Mallorca në Prishtinë për ta shoqëruar Vedat Muriqin në ditën e veçantë”, ka shkruar klubi në postimin e publikuar të mërkurën.
Në videon rreth tre minuta, Mallorca ka sjellë pamje nga kryeqyteti i Kosovës, atmosfera në stadiumin Fadil Vokrri, si dhe momente të veçanta nga karriera e Muriqit me Kombëtaren e Kosovës.
Videoja përfshin gjithashtu aksione nga ndeshja finale e play-offit, ku Kosova u mposht 1-0 nga Turqia.
Muriqi ishte kapiten i Kosovës në dy ndeshjet e fundit, duke marrë përgjegjësinë në mungesë të Amir Rrahmani, i cili mungoi për shkak të lëndimit. /Telegrafi/




















































