Afati kalimtar i transferimeve të verës 2019 ende ka mjaft kohë për t’u kryer, por tri ekipet elitare të La Ligas janë duke udhëhequr listën e shpenzuesve më të mëdhenj deri tani.
Gjithmonë pritej që Real Madridi do të shpenzonte shumë pas dështimit të tyre në sezonin 2018/19, por transferimet e përfunduara nga Barcelona dhe Atletico Madrid kanë qenë më të habitshme.
Të tre skuadrat kanë shpenzuar më shumë para këtë verë, më shumë se Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Manchester United, skuadrat e zakonshme që investojnë në afate kalimtare.
Real Madridi është mbret i transferimeve deri më këtë pikë, pasi ka shpenzuar plot 303 milionë euro për transferime, ndërsa pas tyre vjen Barcelona me 235 milionë euro shpenzime.
Vendi i tretë është i zënë nga Atletico Madridi me 207 milionë euro, vendi i katërt i takon Borussia Dortmundit me 127.5 milionë euro, ndërsa i pesti i takon Bayern Munichut me 118 milionë euro.
Pozita e gjashtë i takon gjithashtu një skuadre spanjolle, pasi Sevilla ka investuar deri tani 111.5 milionë euro, ndërsa pas tyre renditet Roma me 95 milionë euro shpenzime.
Në vendin e tetë renditet skuadra e inkuadruar këtë vit në Ligën Premier, Aston Villa me 93.1 milionë euro, ndërsa pas tyre vjen Manchester City i nënti me 90 milionë euro dhe Interi i dhjeti me 85.5 milionë euro shpenzime.
Megjithatë, mbyllja e afatit kalimtar është shumë larg dhe transferime si ai i Paul Pogbas, Matthijs De Ligt, Mauro Icardit dhe Neymarit mund të ndryshojë shumë listën e skuadrave me shpenzimet më të mëdha. /Telegrafi/