Klub i njohur për përkushtim ndaj ambientit, nuk pritet mirë nga tifozët për fanellat e tyre

Forest Green Rovers, klubi i njohur për përkushtimin e tij ndaj qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së ambientit, ka zbuluar këtë javë uniformat e reja për ndeshjet si vendas dhe mysafir – të parat në botë që janë plotësisht vegane.
Fanellat, në ngjyrë rozë dhe jeshile me dizajn leopardi, janë të prodhuara nga materiale të riciklueshme dhe me bazë bimore. Ato do të përdoren për dy sezonet e ardhshme, duke ndihmuar në uljen e mbeturinave tekstile dhe duke kursyer tifozët nga blerja e fanellave të reja çdo vit.
“Na pëlqen të shtyjmë kufijtë kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë. Fanellat tona janë bërë nga materiale natyrore, përfshirë edhe ngjyrat – një aspekt shpesh i anashkaluar”.
“Jam shumë krenar për këtë paketë të re që është frymëzuar nga natyra dhe që ndihmon natyrën”, tha presidenti i klubit, Dale Vince.
Fanellat janë dizajnuar në bashkëpunim me Vegan Society dhe prodhuar nga kompania Reflo, e specializuar në veshje sportive të qëndrueshme. Pas përdorimit, fanellat mund të çmontohen dhe të riciklohen për të krijuar produkte të reja.
Por pavarësisht mesazhit pozitiv, reagimet e tifozëve nuk ishin aspak entuziaste. “Kjo është absolutisht e neveritshme”, shkroi një tifoz në rrjete sociale.
“Guxim!? Jo, kjo është thjesht e tmerrshme”, komentoi një tjetër.
“Nuk besoja se mund të ishte më keq se fanella e kaluar, por kjo është kulmi”, shtoi një tjetër.
Çmimi i fanellës është 50 euro, dhe pavarësisht kritikave, ajo do të mbetet në përdorim deri në fund të sezonit 2026/27.
Kujtojmë se Forest Green Rovers është shpallur nga FIFA si klubi më i qëndrueshëm në botë. Që nga viti 2015, ata janë bërë plotësisht vegan, ndërsa që në 2011 hoqën mishin e kuq nga menyja në stadiumin e tyre, “The New Lawn”.
Pas një periudhe të shkurtër në League One në vitin 2022, klubi tani garon në National League, ku këtë sezon do të udhëhiqet nga trajneri i ri, Robbie Savage. /Telegrafi/

















































