LAJMI I FUNDIT:

Klinika e QKUK-së me një sallë operimi, ku kryhen 700 operacione brenda vitit

Klinika e QKUK-së me një sallë operimi, ku kryhen 700 operacione brenda vitit

Gjatë një viti në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kryhen rreth 700 operacione. Ndër to, shumë operacione janë të rralla dhe sfiduese, që zgjasin deri në 10 orë, thonë profesionistët e kësaj fushe.

Kjo klinikë ka vetëm një sallë për operim, ndërkohë që aty ofrohen shërbime të sub-specializuara për intervenime në tru dhe kurriz.

Arsim Morina, neurokirurg, thotë për Radion Evropa e Lirë se prej pas luftës, rastet me tumor e që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike, janë dukshëm më të shprehura sesa para kësaj periudhe.


“Në Klinikën e Neurokirurgjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare, është vetëm një sallë operative. Andaj edhe lista e pritjes së pacientëve është e gjatë, për shkak të pamundësisë për t’i operuar në vetëm një sallë. Po t’i kishim dy salla, numri i pacientëve për operim do të rritej dhe lista e pritjes do të zvogëlohej”.

“Janë rreth 700 operacione që kryhen gjatë një viti në këtë klinikë. Prej tyre shumë operacione janë sfiduese e që zgjasin deri në 10 orë”, bën të ditur neurokirurgu Morina.

Pacientët, ndërkaq, thonë se trajtimin që e marrin në Klinikën neurologjike është në nivel. Njëra nga pacientet e cila sapo ishte operuar nga palca kurrizore, sipas familjarëve të saj, kishte kaluar mirë dhe se ndërhyrja kirurgjike ishte treguar e suksesshme. Motra e saj, Mimoza Sahiti, thotë se trajtimi nga stafi mjekësor ishte korrekt, por problem mbetet mungesa e barnave dhe materialit shpenzues.

“Motra është operuar sot. Me sukses e ka kryer operacionin. Kujdesi ka qenë në maksimum. Ne e kemi blerë vetë materialin shpenzues, madje edhe disa mjaft banale si katetera e disa tjera të lira. Por, barnat tjera, disa qetësues e disa tjera, na kanë thënë se i kanë të gjitha në klinikë”, tregon ajo.

Ndërkaq, neurokirurgu Morina thekson se me barna të listës esenciale qëndrojnë mirë aktualisht, por që përqindja variron. Ai përmend mungesën dhe jofunksionalitetin e aparaturave brenda QKUK-së, të cilat mungesa, sipas tij, po u shkaktojnë probleme pacientëve.

“Barnat esenciale, por edhe ato të tjerat, përqindja është e volitshme shpeshherë, por nganjëherë mungojnë. Kemi më shumë nevojë për rezonancë magnetike, arteriografi, incizimet radiologjike të jenë më të shpejta, pra këto na mungojnë”, thotë Morina.

Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë,Urim Ismaili, thotë se në vitin 2019, do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësinë. Andaj, siç thotë Matoshi, nëse marrin kërkesa nga menaxhmenti i QKUK- së për çfarëdo investimi kapital, qofshin ato edhe salla operative, do të shqyrtohen dhe mbështeten varësisht sa u lejon buxheti.

“Në vitin 2019 do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësi dhe Ministria e Shëndetësisë ka ndarë një buxhet të veçantë sa i përket projekteve kapitale dhe shtatë spitaleve të përgjithshme në gjithë Kosovën. Sa i përket renovimit të sallave dhe shtimit të tyre, apo krijimit të tyre, si dhe blerjen e aparaturës, ministria do të jetë e hapur që secila kërkesë që vjen prej menaxhmenti për t’i mbështetur në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, ta mbështesë në bazë të fondit për aq sa ka mundësi.

Sa i përket shtimit të sallës në Klinikë e Neurokirurgjisë, nëse vjen një kërkesë e tillë, do të shqyrtohet”, thotë Matoshi.

Puna në Klinikën e Neurokirurgjisë ishte tejet intensive këtë javë. Të enjten, një pacienteje i ishte larguar përmes operimit, një tumor që i kishte verbuar syrin. Ky intervenim kirurgjik, cilësohet si mjaft sfidues për nga aspekti neurokirurgjik, kurse operacioni kishte zgjatur nëntë orë.

Në trend Lajme

Më shumë
KQZ njofton se javën e ardhshme fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora

KQZ njofton se javën e ardhshme fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora

Lajme
Bie numri i përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë, shtohen pensionistët e moshës

Bie numri i përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë, shtohen pensionistët e moshës

Sociale
Gjykimi ndaj Rrahim e Ilir Abdullahut, babai i Triumf Rizës: 'Këta kanë qenë personat kyç të bandës kriminele të Sekiraqës’

Gjykimi ndaj Rrahim e Ilir Abdullahut, babai i Triumf Rizës: 'Këta kanë qenë personat kyç të bandës kriminele të Sekiraqës’

Drejtësi
Avokati i akuzuar e quan gjyqtarin kontrabandist, Veli Kryeziu i përgjigjet: Kam punuar punë të ligjshme, babën nuk e kam pasur shpijun

Avokati i akuzuar e quan gjyqtarin kontrabandist, Veli Kryeziu i përgjigjet: Kam punuar punë të ligjshme, babën nuk e kam pasur shpijun

Drejtësi
Abdixhiku takon ambasadorët e QUINT-it: LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni

Abdixhiku takon ambasadorët e QUINT-it: LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni

Politikë
Profesori Dashnor Nebija ka nevojë për ndihmën tuaj për trajtim mjekësor jashtë vendit

Profesori Dashnor Nebija ka nevojë për ndihmën tuaj për trajtim mjekësor jashtë vendit

Lajme
Kalo në kategori