Site icon Telegrafi

Kështu përgatitet orizi më i shijshëm

Nëse nga orizi dëshironi të bëni shtojcë të mirë në të cilën “kokrrat mund të numërohen”, duhet blerë orizin me kokrra të gjata.

Orizi me kokrra të rrumbullakëta pas zierjes bëhet i qullët dhe i përshtatshëm për qëllime të tjera, për shembull, për sutliash.

Para zierjes orizin duhet larë mirë në 3-4 ujëra, dhe është mirë që ta lini të qëndrojë ashtu 20 – 30 minuta që të zbutet në ujë të ftohtë, transmeton Telegrafi.

Për oriz të zier mirë duhet matur sasinë e përshtatshme të ujit, përpjesëtimi patjetër duhet të jetë 1:2,5. Pra, në një filxhan oriz nevojiten 2,5 filxhanë ujë!

Sasisë së përshtatshme të ujit qitni kripë dhe filloni ta zieni, pastaj shtoni orizin e kulluar. Prisni që sërish të vlojë dhe pastaj zvogëloni zjarrin aq sa orizi të vlojë ngadalë.

Mbajeni të mbuluar me kapak dhe pa e përzier zieni 15 – 20 minuta, përkatësisht derisa uji nga orizi të avullojë.

Orizi nuk do të ngjitet për enë nëse nuk e përzieni, mirëpo nëse e hiqni kapakun dhe e përzieni uji do të avullojë para se orizi të zihet dhe pastaj do të bëhet i fortë apo, nëse e lini në zjarr derisa të zbutet, do të shkrumbohet.

Dhe, e gjitha është kjo, orizi është i zier, nuk është shkrumbuar, nuk është ngjitur për enë, nuk është i qullët…

Kjo është procedura themelore. Edhe disa këshilla të cilat mund t’ju ndihmojnë gjatë zierjes së orizit:

Mund të shtoni pak kërri, në mënyrë që orizi të marrë ngjyrë të verdh.

Nëse i qitni pak gjalpë orizi do të jetë më i lëngshëm.

Orizi edhe më pak do të ngjitet për enë nëse pas zierjes e shpëlajmë me ujë të vakët. Për shije të mirë mundeni shkurt “ta përzieni” në gjalpin e shkrirë, me pak shafran. Shafrani orizit i jep ngjyrë të verdhë në të artë dhe shije fantastike.

Kinezët orizin e ziejnë duke e qitur më parë në ujë të vluar, duke e fërguar pak, duke i qitur kripë dhe duke i qitur sasi të përshtatshme uji. Kur vlon, i zvogëlojnë zjarrin dhe e ziejnë derisa orizi të thithë gjithë lëngun. Pastaj e heqin nga zjarri dhe e mbajnë një kohë të mbuluar “që të pushojë”. Orizi me zierje e trefishon vëllimin e vet. /Telegrafi/

Exit mobile version