Këshilli drejtues i UP-së miratoi Rregulloren e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik

Në mbledhjen e Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës të enjten, më 22.05.2025, me 7 vota për u miratua Rregullorja e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik të UP-së.
Deri më sot, UP ka pasur në fuqi Rregulloren për të ardhurat personale të personelit akademik, shtesat sipas funksioneve dhe kompensimet tjera e cila daton nga 12.10.2023.
Sipas Rregullores së re, profesorët e rregullt, profesorët e asociuar, profesorët asistentë dhe ligjëruesit kanë nga 6 orë të mësimit në javë, kurse asistentët nga 10 orë.
Paga bazë e personelit akademik do të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.
Rritja e parë e pagave, sipas këtij vendimi, ndodhi në janar 2025 në vlerë 55 euro, kurse rritja e dytë e pagave po ashtu në vlerë 55 euro do të ndodhë në korrik 2025.
Në bazë të nenit 7 të Rregullores së re, profesori i rregullt i UP-së në janar 2025 ka marrë pagë 1,419 euro, kurse në korrik 2025 do ta ketë 1,474 euro; profesori i asociuar në janar 2025 ka marrë pagë 1,309 euro, në korrik 2025 do të marrë 1,364 euro; profesori asistent në janar 2025 ka marrë pagë 1,199 euro, në korrik 2025 do të marrë 1,254 euro; ligjëruesi në janar 2025 ka marrë pagë 1,001 euro, kurse në korrik 2025 do të marrë 1,056 euro, si dhe asistenti i UP-së në janar 2025 ka marrë pagë 847 euro, në korrik 2025 do të marrë 902 euro.
Albana Berisha-Qehaja, prorektore për Buxhet dhe Financa në UP, si dhe kryesuese e komisionit që ka hartuar Rregulloren e re për të ardhurat dhe kompensimin e personelit akademik të UP-së, tha se Rregullorja e kaluar ka pasur disa shtojca për kompensime të cilat nuk kanë mundur të realizohen gjatë punës për shkak të disa kufizimeve ligjore nga Ligji për Zyrtarë Publikë dhe Ligji për Paga.
Kurse, Rifat Krasniqi, anëtar në Këshillin drejtues të UP-së dhe anëtar në komisionin që ka hartuar Rregulloren e re, gjatë mbledhjes së Këshillit drejtues nuk u pajtua me angazhimin dhe ngarkesën e asistentit të UP-së siç e përcakton Rregullorja e re.
Sipas Krasniqit, është ngarkesë që asistentët t’i mbajnë 10 orë sipas normës dhe 6 orë shtesë në javë. Ai kërkoi që asistentët t’i mbajnë të paktën 14 orë gjithsej.
“Unë propozoj që ky Këshill me reflektu dhe me mbështetë kërkesën time që ngarkesa për orë shtesë në javë të jetë 4 orë për asistentin” – tha Krasniqi.
Mirëpo, Këshilli drejtues i UP-së nuk e mbështeti kërkesën e Krasniqit.
Rregullorja e re për të ardhurat personale dhe kompensimin e personelit akademik në UP përcakton që kushti për shpalljen e konkursit për vendet e reja në UP për mësimdhënës, asistent, lektor, korepetitor është plotësimi i së paku 50% të orëve të parapara me normë të plotë në lëndët obligative, kurse pjesa tjetër në lëndët zgjedhore ose në praktikën klinike në Fakultetin e Mjekësisë./Kallxo.com


















































