Teksa afron afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe partitë politike ende nuk kanë dalë me një emër konsensual.

Opinionisti, Avni Arifi, ka vlerësuar se Ramush Haradinaj i përmbush kriteret për postin e presidentit, duke theksuar përvojën politike, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profilin e tij si figurë unifikuese.


“Nëse po flasim për parametra të përvojës, Ramushi i përmbush ato. Nëse flasim për raporte me SHBA-të, kërkush në Kosovë s’ka raporte më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara se Ramush Haradinaj. Nëse flasim si faktor potencial i unitetit në Kosovë, s’besoj që ka profil që mund të ndërtohet më mirë për të qenë faktor i unitetit se Ramush Haradinaj”, tha Arifi në Rubikon të KlanKosovës.

Ai shtoi se situata rreth zgjedhjes së presidentit do të mund të kishte marrë drejtim tjetër në rast se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të dilnin me emrin e Haradinajt si një kandidat i përbashkët.

“Në të kaluarën ka pasur disa situata kur, edhe kur Kurti ka qenë i sëmurë, Haradinaj i është afruar. Anën njerëzore dhe empatinë pak ka njerëz në Kosovë e kanë më të zhvilluar se Ramush Haradinaj. Ka pasur histori të këqija edhe me PDK-në edhe me LDK-në, por kur është në pyetje ana njerëzore dhe atdhedashuria, kërkush s’mundet me u matë me Ramushin. Të kishin shku Bedriu dhe Lumiri me kandidat të përbashkët e me qenë Ramushi, do të kishte qenë tjetër temë. Nuk e di a kanë biseduar, si kanë rrjedhë ato, pse s’kanë shku në atë formë”, tha Arifi.

Sipas Arifit, Haradinaj beson se do të mund t’i siguronte votat e nevojshme në Kuvend në rast se do të propozohej për president.

“Ai beson se ka përkrahje te shumë deputetë, beson se edhe në Vetëvendosje ka, sepse rruga e tij jetësore ka qenë e tillë që me shumë njerëz nga partitë, pa marrë parasysh që njerëzit kanë preferenca partiake, njerëzit e njohin. Ai beson se me të vërtetë zgjidhet, por siç duket këta (PDK dhe LDK) nuk kanë vendosur çfarë profili duan", u shpreh ai.