Site icon Telegrafi

“Kërkojmë punëtorë”, tregu i punës në Kosovë duhet të përmbushë synimet e brezit të ri

Në shumë dyqane në Kosovë shihet tabela “Kërkohen punëtorë” në sektorë si gastronomia, shitja me pakicë dhe ndërtimi. Paradoksalisht, vendi raporton nivele të larta të papunësisë, duke treguar mospërputhje mes aftësive të kërkuara dhe trajnimeve të ndjekura në institucionet arsimore.

Kosova përballet me një paradoks në tregun e punës: derisa papunësia mbetet e lartë, bizneset në sektorë si gastronomia, ndërtimi dhe shitja me pakicë kanë vështirësi në gjetjen e punëtorëve. Ekspertët e lidhin këtë me një mospërputhje mes kërkesave të tregut dhe rrugëve të karrierës që ndjekin studentët, duke lënë role të caktuara të zanateve dhe shërbimeve të zbrazura.

Gjatë dekadës së fundit,  trend në rritje tek të rinjtë ka qenë të studiojnë fusha që ofrojnë qasje të shpejtë në të ardhura ose mundësi jashtë vendit. Perceptimi se ‘lidhjet’ janë të nevojshme për të siguruar punë të qëndrueshme në Kosovë ka shtyrë shumë prej tyre drejt fushave që shmangin këto pengesa.

Kaltrina Aliu, studente e shkencave kompjuterike nga Prishtina, arriti të gjejë punë para se të diplomohej nga një kolegj privat. Ishte e pashmangshme që Aliu të zgjidhte një karrierë që përfshin matematikë dhe kërkon aftësi për zgjidhjen e problemeve.

“Për mua është tepër interesante të shoh diçka që krijohet nga zeroja”, shton ajo.

Teksa vlerëson mundësinë për të hyrë shpejt në tregun e punës, ajo u shpreh e shqetësuar për motivimin e disa prej zgjedhjeve të bashkëmoshatarëve të saj.

“Shumë njerëz studiojnë këtë fushë sepse ofron punësim të shpejtë dhe paga të mira, jo sepse kanë pasion të vërtetë për të”, reflekton Aliu.

Mungesat në sektorët profesionalë

Fushat si teknologjia e informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe mjekësia kanë rritje të numrit të studentëve të regjistruar, derisa ka rënie në shumë të tjera drejtime profesionale, me pasoja të dukshme në tregun e punës.

Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard në një deklarim për Prishtina Insight tha se për shkak që ka mungesë të saktë të gjurmimit të të diplomuarve, supozimi i  përgjithshëm është që profile të caktuara si të IT-së dhe mjekësisë ka punësim më të madh.

“Në vlerësimin tonë, kërkesa për fuqi të kualifikuar punëtorë është e shpërndarë gjithandej në çdo sektor pa përjashtim. Problemi nuk është në të diplomuar në profile, por në të diplomuar që me të vërtetë zotërojnë shkathësi dhe aftësi”, u shpreh ai.

Sipas tij, këtu duhet të ndërhyrjë ministria e arsimit në rishikim të profileve të studimit në tërësi.

“Shumëçka është në shpërputhje me kërkesat e vërteta të tregut dhe nuk gjeneron asnjë përfitim për të diplomuarit. Dëshmi për këtë janë disa profile të studimeve atraktive që kanë një rrugëtim të sigurt të suksesit në karriere për të cilat edhe interesimi për regjistrim është i madh, dhe, në anën tjetër shumë profile të tjera për të cilat shkollat profesionale kanë vështirësi të nxisin të rinjtë për regjistrim”.

Durim B.,  menaxher në një lokal popullor në qendër të Prishtinës, thekson se një nga sfidat kryesore me të cilat përballen bizneset është vështirësia për të gjetur punonjës afatgjatë.

“Punëtorët vijnë, fitojnë përvojë, pastaj largohen për mundësi jashtë vendit. Ndërkohë, punësimet sezonale shtohen gjatë verës, kryesisht nga nxënësit e shkollave të mesme ose studentët”, shpjegon ai.

Kosova ka popullsi prej 1,586,659 banorësh, sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë për vitin 2024. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, që nga viti 2023, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.7%, që do të thotë se mbi 645,000 njerëz përbëjnë fuqinë punëtore. Zyrtarisht, shkalla e papunësisë është 11.8%, por, sipas Bankës Botërore, ekonomia joformale është rreth 35%, që do të thotë se të dhënat për punësimin nuk janë plotësisht realiste.

‘Bujqësia, Pylltaria, Peshkimi dhe Veterinaria’ mbeten ndër drejtimet më pak të zgjedhura, me vetëm 381 studentë (2.3 për qind).

Sipas një raporti nga Ministria e Arsimit dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin akademik 2015/2016, Universiteti i Prishtinës diplomoi 100 studentë nga Fakulteti i Bujqësisë.

Në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2024/2025 aplikuan rreth 2, 000 persona për 420 vende të lira.

Për të rritur numrin e studiuesve në albanologji, Ministria e Arsimit ne vitin akademik 2024/2025 ofroi bursë prej 1,000 euro për studentët që zgjedhin fushat gjuhë shqipe dhe letërsi .

Më 17.07.2024, transmetuesi publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, RTK, raportoi se në vitin e ri akademik 2024/2025, 137 studentë aplikuan për programin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që është 85 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë, një numër i madh studentësh vazhdojnë studimet në universitete private për shkak të kushteve dhe infrastrukturës moderne, ndihmës për mundësi karriere, dhe më shumë marrëveshje me punëdhënës të mundshëm dhe universitete ndërkombëtare.

Praktika e universiteteve private, ndryshe nga ato publike, përfshin ndarjen e mundësive për punësim, ndërmjetësimin e kontratave dhe ofrimin e kurseve të gjuhëve për studentët që duan të punojnë jashtë vendit.

Një raport i vitit 2023 nga Organizata për Cilësinë në Arsim, ORCA, referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se 71,835 studentë janë aktualisht të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Nga këta, 41,212 janë në institucione publike, ndërsa 30,623 ndjekin institucionet private.

 Varësia në rritje për punonjës të huaj

Mungesa e koordinimit mes programeve arsimore dhe nevojave të tregut shpesh bënë që të rinjtë e Kosovës të mos gjejnë punë e të shohin zgjidhjen jashtë vendit si dhe punëdhënësit që përballen me pengesa të rekrutimit e nevojës për punonjës të huaj.

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, i tha BIRN-it se “tregu i punës këtu është i brishtë, sidomos pas (janarit 2024) liberalizimit të vizave, pasi shumica e profesionistëve të kualifikuar tani po largohen.

“Ata që mbeten janë punëtorë që nuk janë të njohur me punën që po bëjnë”, theksoi ai, duke nënvizuar nevojën për një iniciativë të udhëhequr nga qeveria për të harmonizuar trajnimet profesionale me nevojat e tregut.

“Nuk ka pasur asnjë koordinim; ekziston një shkëputje ndërmjet këtyre dy realiteteve”.

“Punëtorët kërkojnë stabilitet social, duan të ndërtojnë familje të shëndetshme dhe të gëzojnë një cilësi të mirë jete, gjë që hasin vështirësi për ta gjetur këtu”, shtoi ai.

Azemi ka frikë se tani është vonë për ndonjë masë, pasi “është krijuar një besim ndër të rinjtë dhe punëtorët se e vetmja rrugë drejt sigurisë financiare dhe një jete më të mirë gjendet në Perëndim.”

Vesel Zhinipotoku, drejtor i Departamentit të Cilësisë në Inspektoratin e Punës, tha se ata marrin ankesa kryesisht nga punëtorët në sektorin privat.

“Shumica e këtyre ankesave vijnë nga sektori privat, megjithëse nuk përjashtohen edhe rastet në sektorin publik”, shpjegoi ai.

Në vitin 2023, paga mesatare bruto në Kosovë arriti në 570 euro, nga 521 në vitin 2022. Sektori publik pati rritje të konsiderueshme të pagave prej 18 për qind pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pagat.

Megjithatë, dallimet e pagave janë të pranishme nëpër sektorë. Ndërmarrjet e sektorit publik ofrojnë pagat mesatare më të larta, ndërsa sektori privat mbetet prapa.

Kosova ka lëshuar gjithnjë e më shumë viza pune dhe leje për qytetarët e Bangladeshit vitet e fundit, kryesisht në industrinë e ndërtimit, për shkak të vështirësive në gjetjen e fuqisë punëtorëve vendas. Fluksi i punëtorëve nga Bangladeshi në Kosovë ka qenë aq i madh sa që kohët e përpunimit të vizave janë ngadalësuar.

“Deri tani, rreth 700 viza pune janë lëshuar, dhe ky numër pritet të rritet në afërsisht 1,900”, tha ish-ambasadori i Bangladeshit, Guner Urea për mediat në janar të vitit 2024.

Bangladeshi njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur më 27.02.2017. Ndërkohë, në vitin 2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë së Republikës Popullore të Bangladeshit.

Plani i Qeverisë për të përballuar situatën

Në programin qeveritar të paraqitur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti premtoi kurrikula të përshtatura me nevojat e tregut të punës.

“Bursat dhe kurrikulat që plotësojnë kërkesat e ekonomisë do të transformojnë sistemin arsimor”- deklaroi ai.

Në shtator të vitit 2022, Ministria e Arsimit nisi një program pilot për arsimin dual në shkollën e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në kryeqytet. Ky model kombinon teorinë me trajnimin praktik, duke përgatitur nxënësit drejtpërdrejt për tregun e punës.

Fillimisht i nisur me profile në artin kulinar, mikpritje, berberi dhe ndërtimtari, arsimi dual do të përfshijë së shpejti rrobaqepësi, mekanikë automobilistike, përpunim metalesh dhe përpunim druri.

Për fusha ku kërkohet fuqi punëtore më e kualifikuar, por ku pak nxënës janë të regjistruar, veçanërisht në arsimin profesional, Ministria e Arsimit ka ofruar bursa vjetore prej 500 euro që nga viti akademik 2021/2022, praktikë që vazhdoi deri në vitin 2024.

Më 03.09.2024, Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, njoftoi në Facebook se 100 bursa do të ndahen për klasën e 10-të, për shkollat e mesme profesionale ne drejtimet deficitare dhe drejtimet teknike.

Përveç shkollave të mesme, Ministria gjithashtu ofron bursa STEM prej 1,000 euro në vit për vajzat që studiojnë fusha të lidhura me teknologjinë.

Në vitin 2024, përfaqësues të USAID-it dhe Universitetit të Prishtinës diskutuan mundësitë për të forcuar aftësi të caktuara profesionale.

“Universiteti i Iowas po zbaton projektin e USAID-it “Partneritete të Sektorit Privat për Fuqizimin e Arsimit të Lartë,”  program pesëvjeçar që synon të ndihmojë universitetet të ofrojnë mundësi arsimore më të përshtatura me ekonominë.

Për më tepër, deri në mars të vitit 2024, afërsisht 9,400 persona kanë përfituar nga platforma qeveritare Superpuna, e cila u hap në vitin 2023 dhe subvencionon punëdhënësit duke mbuluar pagat e punonjësve për gjashtë muaj me 264 euro në muaj.

Punëdhënësit mund të zgjedhin të rrisin këtë pagë dhe/ose të mbajnë punonjësin duke nënshkruar kontratë të re, ose ta largojnë pas periudhës së subvencionit.

Deri në mars, kontratat me kompani private të rreth 33 për qind të përfituesve të platformës Superpuna, u shndërruan në kontrata të rregullta. /Kallxo.com/

Exit mobile version