Site icon Telegrafi

Kërkohet zgjidhje për krizën e energjisë elektrike në disa fshatra të Pejës

Problemet me furnizimin me energji elektrike po vazhdojnë të prekin banorët e Lugut të Baranit dhe fshatrave përreth në Komunën e Pejës.

Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Naim Bytyqi, ka ngritur shqetësimin mbi këtë çështje, duke theksuar vështirësitë që po përjetojnë këto komunitete.

“Probleme me rryme kanë duke filluar nga fshati Lubeniq dhe Raushiq e deri te të gjitha fshatrat e Lugut të Baranit, këto fshatra që janë të lidhura me rrjetin e Komunës së Pejës sepse disa janë të lidhura me rrjetin e Deçanit, kanë pasur probleme shumë të mëdha me ndërprerjen e energjisë elektrike, gjithashtu edhe fshatrat Loxhë, Graboc, Llozhan e Doberdol e gjithashtu e deri tek Krestovci dhe Lugu i Baranit,” ka thënë Bytyqi për Telegrafin.

Naim Bytyqi/ Telegrafi

Pavarësisht protestave të mëparshme nga banorët e këtyre fshatrave, situata nuk ka ndryshuar.

“Vitin e kaluar ne banorët e fshatit Poçest e deri në Krestovc kemi kërkuar dhe e kemi bërë një protest pranë zyreve të KEDS-it për shkak të ndërprerjes me energji elektrike, mirëpo nuk ka pasur ndonjë efekt, nuk ka ndryshuar asgjë që nga ajo kohë”, ka shtuar më tej ai.

Bytyqi ka apeluar për veprime konkrete nga KEDS-i, duke theksuar se kompania duhet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme.

Linja e vjetruar për furnizim me energji/ Foto nga N.Bytyqi

“Zgjidhja e duhur është KEDS-i, meqenëse e ka për obligim furnizimin me energji elektrike, ta zgjidh këtë problem ose le të heqë dorë dhe të deklarohet se nuk ka mundësi për të furnizuar me energji elektrike”, ka përfunduar ai.

Më parë, Telegrafi kishte raportuar për këto probleme, duke theksuar kërkesën për ndërrimin e sistemit të energjisë në këto zona nga KEDS.

Lexo po ashtu Banorët e fshatrave Poçest e deri në Krestovc të Pejës përballen me mungesë të energjisë elektrike, kërkojnë ndërrimin e sistemit të vjetër

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, banorët e fshatit Vitomiricë protestuan pranë zyreve të KEDS-it në Pejë, duke kërkuar zgjidhjen e problemit të furnizimit me energji elektrike. /Telegrafi/

Exit mobile version